Lidhje

Kriza në Lindjen e Mesme


Presidenti Obama i tha kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të ndërmjetësojnë që t’i jepet fund dhunës me palestinezët, përfshirë kthimin tek armëpushimi i vitit 2012.

Presidenti foli të enjten në telefon me zotin Netanjahu, pas një dite tjetër me dhunë dhe viktima në Lindjen e Mesme.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se zoti Obama ripohoi të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur nga sulmet e militantëve të Hamasit. Por, ai tha se është i shqetësuar se dhuna mund të shkallëzohet dhe se të gjitha palët duhet të bëjnë sa të munden për të mbrojtur jetën e civilëve.

Po të enjten, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të luftimeve në konfliktin e Izraelit me militantët e Hamasit në Gazë, por asnjëra nga palët nuk dha ndonjë shenjë se po i ndalon sulmet.

Sekretari i Përgjithshëm tha në takimin urgjent që mbajti të enjten Këshilli i Sigurimit, se Izraeli dhe Hamasi "duhet të ushtrojnë përmbajtje maksimale", për t'i dhënë fund luftimeve.

Ndërsa avionët izraelitë sulmuan pa pushim qindra objektiva të Hamasit në Gazë për të tretën ditë me radhë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i tha një komisioni parlamentar se ndalimi i luftimeve "as që është fare në rendin e tyre të ditës."

Hamasi vazhdoi të hedhë raketa në qytetet kryesore izraelite Tel Aviv dhe Jeruzalem, edhe pse shteti hebraik tha se sistemi i mbrotjes nga raketat i ka rrëzuar, apo shmangur shumicën e tyre.

Israeli nuk ka njoftuar për viktima, ndërsa zyrtarët palestinezë thanë se numri i të vdekurve në Gazë nga sulmet izraelite është të paktën 85 militantë dhe civilë, mes tyre gra dhe fëmijë.

Udhëheqësi i OKB-së Ban tha se humbja e jetës së civilëve në Gazë është për të ardhur keq.

Ushtria izraelite tha se sulmet e veta ajrore goditën të enjten 320 objektiva të tjerë të Hamasit, duke u përqëndruar tek rrjetet e tyre në tunelet nën tokë dhe qendrat e hedhjes së raketave.

Presidenti palestinez Mahmud Abbas e akuzoi Izraelin për genocid. Flakët dhe shtëllungat e tymit të zi mbushën qiellin e Gazës.

Zyrtarët izraelitë thanë se sumet do të vazhdojnë, përsa kohë që Hamasi vazhdon të hedhë raketa në Izrael. Sirenat e alarmit oshëtinin nëpër qytete dhe disa izraelitë qëndronin të gjunjëzuar nëpër rrugë, duke mbuluar kokën me duar.

Në komentet që bëri në Pekin, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se SHBA "do të bëjnë gjithshka munden për të ndihmuar t'i jepet fund dhunës." Ai tha se Shtetet e Bashkuara përsëri mbështesin të drejtën e izrelitëve për t'u vetëmbrojtur nga sulmet me raketë dhe se Hamasi ka vazhduar të refuzojë, në kundërshtim me thirrjet e të gjithëve, që të ndalë dhunën."

Dhuna në rajon u shkallëzua pas vrasjes së tre të rinjve izraelitë muajin e kaluar dhe vrasjes së një adoleshenti palestinez në një sulm që mendohet se kishte motiv hakmarrjen.

XS
SM
MD
LG