Lidhje

Turqi: Rritet numri i viktimave në minierë


Një sindikatë e fuqishme e punëtorëve në Turqi bëri thirrje për grevë të përgjithëshme mbarëkombëtare sot, ndërkohë që numri i të vdekurve nga tragjedia më e rëndë në minierat e vendit arriti në 282. Sindikata turke thotë se greva një ditore është për të protestuar kundër standarteve të ulta të sigurisë në sektorin e minierave.
Ndërkohë që dhjetëra njerëz presin me ankth njoftime për të zhdukurit, punonjësit e emergjencës vazhdojnë kërkimet pas tragjedisë në minierën e qymyrgurit që ndodhi të martën në qytetin Soma në jug të Stambollit, si pasojë e një shpërthimi elektrik.

“Nipi im gjendet atje poshtë, gruaja e tij shtatzënë do të lindë pas pak ditësh”, thotë një grua.

Zyrtarët thonë se një zjarr brenda minierës po i pengon përpjekjet për të arritur 120 njerëz që mendohet se janë bllokuar në një pus të minierës.

Ekipet e shpëtimit shpresojnë që minatorët e bllokuar janë strehuar brenda një dhome të sigurtë për të evituar tymin e dendur dhe gazet helmuese.

Zyrtarët e qeverisë dhe të kompanisë minerale thonë se deri tani janë shpëtuar afro 450 minatorë.

Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan shkaktoi zemërim në Soma kur i qujati aksidentet në punë si gjëra që ndodhin.

“Aksidente të tilla nuk ndodhin vetëm në Turqi. Ndodhin edhe në vende si Amerikë, Kinë, Francë, Indi apo Belgjikë. Shumë njerëz kanë humbur jetën në aksidente të tilla. Vendi ynë është në pozita më të mira.”

Pas kësaj, kryeministrit ju desh të strehohej në një dyqan ushqimesh. Por ai tha gjithashtu se tragjedia do të hetohet terësisht. Minierat e qymyrit në Turqi njihen për rrezikshmërinë e tyre, duke bërë që disa ligjvënës të kërkojnë hetime lidhur me kushtet e këqia të sigurisë.
XS
SM
MD
LG