Lidhje

Shkallëzohet më tej konflikti në Ukrainë


Konflikti në Ukrainë u shkallëzua sot më tej, kur separatistë pro-rusë hapën zjarr ndaj një autokolone me forca ushtarake të blinduara, duke vrarë shtatë ushtarë dhe duke plagosur 7 të tjerë.

Ministria e Mbrojtjes e Ukraninës, tha se një grup prej 30 rebelësh, të cilëve ajo ju referua si “terroristë”, e sulmoi autokolonën në periferi të fshatit Oktyabrske, 20 kilometra larg qytetit lindor Kramatorsk.

Incidenti ndodhi ndërkohë që Ministri i Jashtëm gjerman shkoi në Ukrainë për të nxitur një zgjidhje të negociuar të krizës.

Ministri i jashtëm gjerman po viziton Ukrainën për të ndihmuar në nisjen e bisedimeve midis qeverisë dhe separatistëve prorusë, pas shpalljes së pavarësisë nga rajonet lindore Donetsk dhe Lohansk. Separatistët në këto rajone thonë se 90 përqind e pjesëmarrësve votuan të dielën në dy referendume të veçanta në favor të shkëputjes nga Ukraina.

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank - Walter Steinmeier zhvilloi sot në Kiev bisedime me presidentin në detyrë të Ukrainës Oleksander Turchinov për të filluar një "tryezë të rrumbullakët" si pjesë e një plani të miratuar nga OSBE-ja dhe Ukraina javën e kaluar .

Plani synon përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të drejta më 25 maj si dhe çtensionimin e krizës në Ukrainën lindore ku separatistët i kanë shpallur rajonet Donetsk dhe Lohansk të pavarura nga Kievi.

Zoti Steinmeier tha para dhe pas një takimi me kryeministrin Arseny Yatseniuk se ai shpreson që bisedimet e tryezës së rrumbullakët me udhëheqësit politikë dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile të Ukrainës do të ndihmojnë për çarmatimin e separatistëve në lindje.

"Shpresoj se në këto kushte është e mundur të bëhen hapa për të rikthyer ndërtesat e zaptuara dhe për të çarmatosur përfundimisht grupet e paligjshme, si dhe për rivendosjen e kontrollit të shtetit mbi dhunën," tha ministri i jashtëm gjerman.

Udhëheqësi separatist i Donetskut, Denis Pushilin e quan këtë rajon Republika Popullore e Donetskut, dhe thotë se ky është tani një "shtet sovran."

"Duke u bazuar në vullnetin e popullit të Republikës Popullore të Donetskut dhe në përpjekje për rivendosjen e drejtësisë historike, i kërkojmë Federatës Ruse të shqyrtojë bashkimin e Republikës Popullore të Donetskut në Federatën Ruse," tha zoti Pushilin.

Rezultatet e dy referendumeve të mbajtura të dielën nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

Ministria e jashtme e Ukrainës i quan votimet "një përpjekje e trashë" dhe thotë se sondazhet e agjencive perëndimore dhe ukrainase tregojnë se shumica e atyre që jetojnë në lindje janë për një Ukrainë të bashkuar.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun ka bërë thirrje që t'u jepet fund përpjekjeve për të minuar integritetin territorial të Ukrainës.

"U bëj thirrje të gjithë atyre që janë përpjekur të minojnë unitetin, integritetin territorial dhe stabilitetin e Ukrainës që të ndalin menjëherë veprime të tilla. Autoritetet në Kiev duhet të vazhdojnë t'u përgjigjen akteve të tilla me përmbajtje maksimale dhe brenda ligjeve ukrainase e parimeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut," tha zoti Ban Ki Mun.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thonë se ata nuk i njohin rezultatet e votimit të së dielës.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney tha se Uashingtoni është "i zhgënjyer" që Moska nuk përdori ndikimin e saj për të mos lejuar zhvillimin e referendumeve, pas thirrjes që Presidenti Vladimir Putin u bëri separatistëve për të shtyrë votimin.

Zoti Putin ende nuk ka komentuar personalisht mbi referendumet. Por në një deklaratë të Kremlinit thuhet se Moska i respekton rezultatet.
XS
SM
MD
LG