Lidhje

Vendimet për Mjacajn, kontroll gjykatave


Ministri i Drejtësisë urdhëron inspektimin në gjykatën e shkallës së parë dhe të Apelit, për dënimet që janë dhënë më parë ndaj autorit të dyshuar për vrasjen e turistëve cekë

Në Shqipëri, ministri i Drejtësisë Nasip Naco ka urdhëruar nisjen e inspektimeve për vendimet e dhëna nga gjykatat shqiptare për Sokol Mjacajn, autorin e dyshuar të vrasjes të premten e shkuar të dy turistëve cek në Prekal të Dukagjinit

Mjacaj, 20 vjecar, është dënuar fillimisht në vitin 2010, nën akuzën e grabitjes me pasojë vdekjen e një 13 vjecari, një vrasje e kryer në bashkëpunim. Gjykata e Shkallës së parë në Shkodër e kishte dënuar atë me 10 vite burg, por ky dënim u reduktua në vetëm katër vite, nga gjykata e Apelit po në Shkodër. Ai doli nga burgu në 2014, për të përfunduar sërish në qeli për një tjetër grabitje.

Mjacaj kishte vetëm një muaj që kishte dalë nga burgu, kur kreu vrasjen e dyfishtë të premten në mbrëmje, duke qëlluar me armë dy turistët cek, të cilëve, sic ai ka rrëfyer, fillimisht donte vetëm t’u grabiste automjetin. Mjacaj u arrestua dje pas një operacioni ku ishin angazhuar mbi 300 forca policie.

Ngjarja e rëndë ka rihapur edhe një herë debatin e vjetër mbi drejtësinë që japin gjykatat shqiptare, duke qenë se bëhet fjalë për një rast të përsëritur ku persona me rrezikshmëri, vuajnë dënime të ulta dhe i rikthehen krimeve sapo lihen të lirë.

XS
SM
MD
LG