Lidhje

Federica Mogherini për sfidat e politikës së jashtme globale


Shefja e ardhshme e politikës së jashtme dhe e sigurisë së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini tha se edhe pse përfaqësuesit e Ukrainës, Rusisë dhe të rebelët pro-rusë u takuan dje në Bjellorusi, gjendja në Ukrainë nuk është inkurajuese. Përveç krizës në Ukrainë, ajo komentoi edhe për grupin Shteti Islamik dhe për gjendjen në Gazë.

Duke folur në një konferencë shtypi në Bruksel, shefja e ardhshme e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, tha se në Ukrainë, gjendja në terren po bëhet gjithnjë e më dramatike.

Federica Mogherini, shefe e ardhshme e politikës së jashtme të BE

"Flasim për një agresion, dhe mendoj se është e nevojshme t'i përgjigjemi kësaj në mënyrën më të fortë të mundshme," tha zonja Mogherini.

Ajo tha se trysnia duhet të vihet te gjetja e një zgjidhjeje politike. Përfaqësuesit e Ukrainës, Rusisë, të rebelëve pro-rusë dhe të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë bënë dje një përpjekje tjetër për të arritur një marrëveshje në Minsk të Bjellorusisë.

"Fakti se Grupi i Kontaktit arriti të mblidhet është një dritë e vogël në një kohë errësire të plotë, dhe unë shpresoj se ne do të mund të punojmë që kjo dritë të shtohet dhe errësira të tkurret," tha zonja Mogherini.

Separatistët pro-rusë paraqitën një platformë negociuese ku heqin dorë nga kërkesa e tyre e mëparshme për pavarësi të plotë duke shprehur gatishmërinë për të negociuar mbi një zgjidhje që do të respektonte tërësinë territoriale të Ukrainës në këmbim të një autonomie të gjerë për krahinat lindore.

Lidhur me grupin e Shtetit Islamik, zonja Mogherini theksoi se këtu nuk bëhet fjalë për zgjidhje politike dhe se me militantët nuk mund të ketë marrëveshje.

"Fjala është për një përballje të qartë dhe ndoshta për herë të parë nuk ekziston mundësia për dialog mes aktorëve në rajon... Na duhet të jemi shumë të kujdesshëm, shumë të ashpër në këtë çështje. Në asnjë mënyrë nuk bëhet fjalë për dialog politik," tha zonja Mogherini.

Për Gazën, zonja Mogherini tha se Bashkimi Evropian duhet të garantojë që armëpushimi i tanishëm do të jetë i vërtetë dhe afatgjatë, dhe se do të jetë i lidhur me një proces politik që mund të çojë në një zgjidhje me dy shtete.

"Është e nevojshme të sigurojmë se kjo zgjidhje mund të na lejojë të mos kthehemi përsëri te një krizë në Gazë pas 12 ose 18 muajsh, por të gjejmë një zgjidhje të vërtetë. Ne kemi nevojë për Evropën atje dhe kjo është e qartë," tha zonja Mogherini.

XS
SM
MD
LG