Lidhje

Sek. Kerry kritikon ashpër Rusinë


Sekretari i Shtetit John Kerry thotë se Rusia “nuk ka marrë asnjë hap konkret” për të qetësuar krizën në Ukrainë dhe ai paralajmëroi se kundërshtimi i Moskës për të vënë nën kontroll separatistët e armatosur pro-rusë në Ukrainën lindore do të ishte “një gabim që do t’i kushtojë shtrenjtë”.

Zoti Kerry i bëri komentet mbrëmë në Uashington. Në një kritikë të fortë ai tha se Moska nuk ka respektuar marrëveshjen katër palëshe që nënshkroi javën e kaluar për të qetësuar tensionet në Ukrainë. Ai akuzoi gjithashtu televizionin e mbështetur nga Kremlini se po propagandon variantin e Kremlinit për zhvillimet në Ukrainë, të cilin ai e cilësoi si “fantasia e zotit Putin”.

Ndërkaq Rusia po u bën thirrje Shteteve të Bashkuara të detyrojnë Ukrainën të ndalë operacionet ushtarake kundër separatistëve pro-rusë të cilët kanë uzurpuar ndërtesa në Ukrainën lindore.

Në zhvillime të tjera, diplomatët në Kombet e Bashkuara thonë se Rusia ka thirrur ambasadorin e saj në Moskë për konsultime urgjente. Ky fakt u bë i ditur pak pasi Moska akuzoi Kievin se ka dislokuar njësi ushtarake dhe paraushtarake me elementë ultra nacionalistë kundër popullatës kryesisht rusisht-folëse në Ukrainën lindore. Një deklaratë e Ministrisë së Jashtme ruse shkruan se autoritetet ukrainase janë nën patronazhin e Shteteve të Bashkuara. Po ashtu deklarata thotë se situata kërkon veprime urgjente nga Uashingtoni për të garantuar tërheqjen e forcave ukrainase nga rajoni.

Shkëmbimet diplomatike mbyllën një ditë tensionesh në rritje përgjatë kufirit ruso-ukrainas, ku është mbledhur një forcë e madhe ushtarake ruse. Një diplomat ukrainas në Kombet e Bashkuara tha për Zërin e Amerikës se Moska ka dyfishuar praninë ushtarake në kufi dhe tani ka rreth 80 mijë trupa.
XS
SM
MD
LG