Lidhje

Rënia e Murit të Berlinit – 25 vjet më pas


Në kryeqytetin e Gjermanisë janë planifikuar festa të mëdha nëpër rrugë për të shënuar 25 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit. Në dallim me përvjetorët e mëparshëm, autoritetet thonë se the theksi këtë vit do të jetë festimi i një Gjermanie të bashkuar. Por për brezat e vjetër, kujtimet për Murin dhe për shkatërrimin e tij janë të ngulitura përgjithmonë në mendje. Henry Ridgwell njofton nga Berlini.

Burkhart Veigel ishte një nga njerëzit më të kërkuar të Gjermanisë Lindore. Në vitet 1960, zoti Veigel ndihmoi të gërmoheshin tunele nën Murin e Berlinit. Ky tuneli i fundit që ka mbetur.

"I pyesja ata që shpëtonin nëse kishin patur frikë. Askush nuk thoshte se kishte patur frikë. Ata mendonin se plani do të funksiononte patjetër."

Zoti Veigel ishte ekspert për falsifikim pasaportash. Ai kishte modifikuar një Cadillac për të fshehur një njeri brenda pultit të komandimit. Në sajë të tij, qindra njerëz u arratisën në perëndim.

"Kjo ishte puna e jetës sime. Doja që njerëzit të ishin të lirë. Pra, që ata të mund të mendonin dhe të flisnin lirshëm. Dhe kjo u bë realitet. Për mua kjo ishte një përvojë shumë prekëse."

Tuneli, një nga shumë të tillë, zgjatet nën rrugën Heidelberg. Tani, ka shumë pak dëshmi për rolin e kësaj rruge në histori.

Me fillimin e viteve 60, autoritetet komuniste vendosën të mos i lejojnë më gjermanolindorët të arratiseshin në Perëndim. Në gusht 1961 ata ndërtuan fortifikime rreth Berlinit perëndimor. Gjatë viteve në vijim, u ndërtua një mur i madh mbrojtës që përshkonte të gjithë qytetin.

Në Përmendoren e Murit të Berlinit, janë ruajtur disa pjesë të murit. Axel Klausmeier është drejtor i Përmendores.

"Ishte diçka absolutisht e tmerrshme. E gjithë popullsia ishte e tronditur. Është e vështirë të besohet se një qytet i tërë mund të ndahet brenda natës."

Zyrtarisht, 138 njerëz humbën jetën në përpjekje për të kaluar murin. Disa organizata thonë se numri i viktimave ishte rreth shtatëqind.

Deri në fund të viteve 80 kundër qeverisë së Gjermanisë Lindore ishte grumbulluar mjaft urrejtje. Protestat që filluan në Leipzig u përhapën në Berlinin lindor.

Kur autoritetet i zbutën kufizimet e udhëtimit, dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në anën lindore të murit. Më 9 nëntor 1989 muri u ça dhe nuk pati asnjë të shtënë.

Sot, pas 25 vjetësh, emocionet janë të forta. Isolde Nedbal jetonte në Berlinin lindor.

"Në atë kohë kishim një makinë tip Trabant. Hipëm bashkë me fëmijët dhe shkuam të shihmin ç'po ndodhte. Më dalin lot nga sytë kur e mendoj."

Rudolf Seiter ishte shef kabineti i kancelarit të atëhershëm të Gjermanisë Perëndimore, Helmut Kohl.

"Mendoj se kjo është një histori suksesi me përmasa historike. Shumë zona kanë lulëzuar, popullsia është bashkuar, njerëzit kanë lëvizur nga lindja në perëndim dhe nga perëndimi në lindje, të rinjtë ndjehen gjermanë."

Këtë fundjavë balona shumëngjyrësh me helium do të ndriçojnë rrugën pranë Murit. Janë planifikuar festa të mëdha, që përkujtojnë festimet e 25 viteve më parë dhe agimin e një kapitulli në historinë e re.

XS
SM
MD
LG