Lidhje

Napoli, qyteti që po rilind


Napoli
Napoli

Napoli e ka lënë pas imazhin e dikurshëm të qytetit me plehra dhe po rilind si një qytet i pastër dhe i gjelbër. Napoli i Vezuvit po kalon nëpër një sërë ndryshimesh të ideuara nga kryebashkiaku i ri Luigi De Magistris, i cili krenohet se i ka dhënë një pamje të re pjesës bregdetare të qytetit.

Ky njeri që nget biçikletën në rrugën plot diell të bregdetit me vajzën e vogël pas, do ta kishte patur të pamundur disa vite më parë.

Në vitin 2011 kjo rrugë i ngjante një autostrade me trafik të dendur, plot zhurmë dhe tym. Sot, Napoli ka një kryebashkiak të ri, rrugë të pastra dhe një korsi 20 kilometra të gjatë përballë njërit prej gjireve më të bukur të botës. Për Luca Simeonen, transformimi i vijës bregdetare ishte njëkohësisht fillimi i një biznesi të eko-çiklizmit, diçka që ai e ëndërronte prej kohësh.

"Rreth tre vjet më parë, me krijimin e një korsie për çiklistët, në Napoli filloi një epokë e re për ata që dëshirojnë të qarkullojnë me biçikleta," thotë Simeone.

Turi Çiklistik i Napolit ofron korsi bilkletash si në qytet ashtu edhe në periferi të tij.

"Kjo është e vetmja mënyrë e mirë për të njohur Napolin. Korsitë për biçiklistët dhe pjesa pedonale buzë detit mu dukën shumë të bukura këtë vit," thotë Anja.

Partneri i saj Antonio Sorace thotë se të vizitosh Napolin me makinë është e pamundur.

"Me makinë nuk mund t'i shijosh rrugët e vogla dhe atmosferën e Napolit," thotë Sorace.

Në Napoli ka filluar një revolucion i gjelbër. Napolitanët janë të kënaqur që po e lënë pas imazhin e qytetit të plehrave.

Kryebashkiaku Luigi De Magistris, thotë se reagimi i banorëve është gjithnjë e më pozitiv.

"Ne vumë bast për një revolucion të transportit. Më kujtohet kur isha 12 ose 13 vjeç, i kisha pasion biçikletat, por prindërit nuk më lejonin, sepse në Napoli nuk mund të ngisje dot biçikletë, përveçse nëpër parqe. Sot qytetarët po i përdorin biçikletat gjithnjë e më shumë. Kemi zgjeruar zonat pedonale, sepse ato tërheqin turistët dhe përmirësojnë cilënë e jetës në qytet," thotë De Magistris.

Turizmi sjell më shumë se 2.4 milion vizitorë në hotelet napolitane dhe shifrat janë në rritje, megjithë krizën ekonomike.

Njerëzit në stacionin e Toledos shohin me admirim mozaikët dhe arkitekturën e këtij projekti të ri, i cili parashikohet të përfundojë në vitin 2018.

"Është i bukur, është sikur zhytesh në det. Është art," thotë turisti Pierre Bonini nga Parisi.

Krahas artit është edhe plazhi. Në vitin 2013, Napoli përmirësoi cilësinë e ujit dhe njerëzit tani mund të lahen në det si dikur.

Një grup i vogël entusiastësh ka përfituar nga kjo duke ngritur një biznes të quajtur Kayak Napoli.

Ata ofrojnë edhe një tur mjaft të veçantë që po bëhet gjithnjë e më popullor, turin e hënës së plotë, e cila këtu, për shkak të ngjyrës, njihet me emrin Hëna prej gjaku.

XS
SM
MD
LG