Lidhje

NATO: Takimi, shpresë për zbutjen e Rusisë


NATO dhe Rusia zhvilluan këtë javë dialogun e tyre të parë në dy vjet. Takimi në rang ambasadorësh në Bruksel të mërkurën nuk nxori ndonjë marrëveshje, por analistët thonë se ka zgjuar shpresat se Rusia mund të jetë duke u përpjekur të dalë nga izolimi që pasoi aneksimin e Krimesë nga Moska dhe mbështetjen ruse për forcat separatiste në Ukrainë.

Rusia është ende nën barrën e sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera anëtare të NATO-s, të cilat i kanë bërë thirrje Moskës të ndalë veprimet destabilizuese në Ukrainë dhe kanë protestuar ndaj aneksimit të Krimesë.

Zyrtarët pjesëmarrës në takim thanë se nuk vërejtën shenja se Rusia është gati të tërheqë mbështetjen për separatistët, apo të tërheqë personelin dhe armët nga Ukraina lindore.

Takimi u zhvillua në një kohë kur marrëdhëniet mes NATO-s dhe Rusisë janë në pikën më të ulët që nga Lufta e Ftohtë. Përveç përplasjeve për Ukrainën, ka pasur shkallëzim tensionesh edhe për një numër incidentesh lidhur me ushtrinë amerikane dhe atë ruse, që Uashingtoni i ka kritikuar si të rrezikshme dhe joprofesionale.

Zyrtarët amerikanë dhe ata të NATO-s e kërkuan zhvillimin e takimit me shpresën për komunikim të hapur dhe për rinovimin e marrëveshjeve që parandalojnë gabimet dhe keqkuptimet gjatë manovrave ushtarake.

XS
SM
MD
LG