Lidhje

Reagime ndaj vrasjes së opozitarit rus Nemtsov


Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, dënoi vrasjen dhe i bëri thirrje njerëzve të protestojnë kundër Presidentit rus Putin për luftën në Ukrainë. Ai e quajti zotin Nemtsov “një urë” ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, dënoi vrasjen brutale dhe i bëri thirrje Rusisë të kryejë hetim të menjëhershëm dhe të pavarur. Presidenti Obama vlerësoi rolin e zotit Nemtsov në mbrojtje të të drejtave të bashkëqytetarëve të tij rusë dhe përpjekjet e tij kundër korrupsionit në këtë vend.

Presidenti i Francës, Francois Hollande, shprehu zemërimin e tij për vrasjen e Boris Nemtsov, të cilin e përshkroi si një “mbrojtës të demokracisë”.

Nëpërmjet zëdhënësit, Kancelarja gjermane Angela Merkel vlerësoi kurajon e tij si një kritik i hapur i politikave të qeverisë ruse, dhe i bëri thirrje Presidentit Putin për zbardhjen e vrasjes dhe sjelljen e autorëve para drejtësisë. Ministri i Jashtëm gjerman Steinmeier u shpreh se kjo vrasje është një goditje e rëndë ndaj të gjithë atyre që përpiqen për një Rusi më të hapur.

Komisionerja e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha se zoti Nemtsov ishte përkrahës i fortë i një Rusie moderne dhe demokratike, dhe se BE-ja pret nga autoritetet ruse hetimin e plotë, të shpejtë, dhe transparent të vrasjes.

Zoti Nemtsov ishte zëvendëskryeministër në vitet ’90-të, dhe në atë kohë shikohej si pasardhësi i presidentit Boris Yeltsin. Pas zgjedhjes së zotit Putin në vitin 2000, Boris Nemtsov u bë një ndër kritikët më të ashpër dhe më të hapur të Presidentit Putin, në veçanti gjatë kryengritjes në Ukrainë vitin e kaluar.

Duke vendosur lule pranë vendit ku ai u ekzekutua, udhëheqësit opozitarë rusë, Grigory Yavlinsky dhe Sergei Mitrokhin, u shprehën se vrasja e tij është një goditje e rëndë ndaj të ardhmes së Rusisë.

XS
SM
MD
LG