Lidhje

Teknologji e re në ndihmë të kirurgëve


A do të ndodhë ndonjëherë që një video-lojë mund t’ju shpëtojë jetën? Një teknologji e re, e cila përdoret tashmë në Spitalin Metodist në Houston, Texas, ka një lidhje të drejtpërdrejtë me video-lojërat. Ajo mund të ofrojë pamje të detajuara të trupit të pacientëve duke i ndihmuar kështu kirurgët të planifikojnë dhe zbatojnë operacione të komplikuara me shumë më tepër vetëbesim.

Ata që mendojnë se zhvillimi i programeve të video-lojërave nuk ka qëllim tjetër përveç argëtimit, duhen ta mendojnë sërish.

Kështu thotë mjeku onkologjist Brian Butler, në Spitalin Metodist të Houstonit dhe autori kryesor i një teknologjie të re grafie të quajtur CAVE:

“Inxhinierët e kompjuterave dhe përdoruesit e video-lojërave janë ata që realisht bënë të mundur këtë teknologji.”

CAVE është një teknologji e fuqishme e bazuar mbi programet Microsoft dhe Apple, që importon me shpejtësi të dhëna të mbledhura nga pajisje të tjera grafie -- si CT, MRI dhe PET -- dhe i konverton këto në pamje të detajuara.

Të ngjashme me grafikët e një video-loje, pamjet me ngjyra shumë-dimensionale shfaqen në një ekran me prekje, duke iu mundësuar mjekëve t’i përpunojnë ato dhe virtualisht “të lundrojnë” përmes pjesëve të trupit nga të gjitha drejtimet, t’i rrotullojnë pamjet dhe t’i zmadhojnë ose t’i zvogëlojnë.

Një nga kirurgët që përdor teknologjinë CAVE, Mas Takashima, thotë se mundësia për të përfytyruar qartë zonën e operacionit është çelësi i një ndërhyrjeje të suksesshme kirurgjikale.

“Kur arrin të përfytyrosh saktësisht se çfarë po ndodh, kjo pa dyshim ul nivelin e stresit, ose të ankthit, që shkaktohet duke hamendësuar: ‘a ka ndonjë mundësi që kjo enë gjaku p.sh., të jetë mbledhur rrotull këtij tumori?’

Rishtazi, kirurgët përdorën sistemin CAVE për të planifikuar një operacion të vështirë tek një pacient që kishte plagosur veten aksidentalisht me një hark. Atyre ju mundësua të shikonin qartësisht vendin ku shigjeta kishte përshkruar kokën dhe sa afër ndodhej ajo me vena kryesore gjaku.

Por, deri jo shumë kohë më parë, edhe mjekë të mirënjohur ishin skeptikë rreth teknologjisë së re. Doktori Robert Grossman, i cili jep mësim për kirurgjinë neurologjike në Spitalin Metodist të Houston, kujton një përvojë nga viti 1963.

“Kur u shpall skaneri i parë CT, shefi i neuro-radiologjisë në spitalin tonë – ai ishte një individ shumë i spikatur, të cilit nuk po ja përmend emrin – na tha: ‘djema, ky është një mashtrim’.”

Tashmë ekspertët thonë se ky është vetëm fillimi. Ata shtojnë se teknologjia e re CAVE do të përmirësohet më tej me kalimin e kohës.

XS
SM
MD
LG