Lidhje

Nju Jorku mirëpret refugjatët sirianë


Në mbarë Shtetet e Bashkuara po zhvillohet një debat rreth fatit të refugjatëve sirianë. Por në Nju Jork, që është bërë shtëpia e njerëzve nga të gjitha cepat e globit, organizatat komunitare po marrin vetë masat që refugjatët që do të vijnë të ndjehen të mirëpritur.

Deri më tani, rreth 2200 refugjatë sirianë kanë mbërritur në tokën amerikane, sipas Departamentit të Shtetit. 77% e tyre janë gra dhe fëmijë. Shumë pak prej tyre kanë zbritur në Nju Jork. Kryebashkiaku Bill de Blasio, i cila e ka emërtuar Nju Jorkun “qytet krenar emigrantësh”, tha se qyteti nuk do t’u kthejë shpinën të persekutuarve, apo atyre që i largohen luftës, dhe i quajti njujorkezët myslimanë aleatë vendimtarë në luftën kundër terrorizmit.

Kandidatët republikanë për president, Ted Cruz dhe Jeb Bush, i kanë bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të pranojë refugjatë të krishterë sirianë, por jo myslimanë. Donald Trump tha se ai nuk do të pranojë asnjë sirian, dhe premtoi se nëse zgjidhet, do të monitorojë disa xhami të caktuara. Dr. Ahmad Jaber, president i Shoqatës Arabo-Amerikane të Nju Jorkut dhe Xhamisë Dawood, e quan këtë retorikë antikushtetuese:

“Si guxojnë të thonë se nuk mirëpresin refugjatë? Si guxojnë të thonë se nuk po i pranojnë pasi janë myslimanë?”

Në zemër të Bruklinit, xhamia Dawood u krijua e para në qytetin e Nju Jorkut, në vitin 1939. Sot ka mbi 270 xhami. Dr. Jaber thotë se komuniteti i përbërë prej emigrantësh nga Jemeni, Egjipti, Palestina dhe Siria i mirëpret refugjatët, myslimanë dhe të krishterë:

“Kemi një marrëdhënie të zgjeruar me familjet e lagjes që mirëpresin emigrantë dhe i strehojnë ata.”

Organizata e Dr. Jaber ofron shërbime sociale dhe ndihmë për gjuhën angleze, kujdesin shëndetësor, si dhe programet jashtëshkollore për fëmijët.

Grupe të tjera komunitare përmbushin boshllëqet e mbetura. Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit organizon çdo vit një program veror që përgatit kushtet për emigrantët:

“Edhe kur komuniteti më i gjerë nuk i mbështet, ata e kuptojnë se i përkasin një komuniteti nëse vlerësohen dhe nëse mund të zhvillojnë një ndjesi pozitive të asaj çfarë përfaqësojnë.”

Sondazhet e fundit tregojnë se shumica e amerikanëve mendojnë se SHBA nuk duhet të pranojë më tepër refugjatë nga Siria, kryesisht për arsye sigurie.

XS
SM
MD
LG