Lidhje

SHBA, videoja e sportistit dhe dhuna në familje


Njëzet e pesë për qind e grave amerikane përjetojnë dhunë në familje dhe shumica e rasteve nuk raportohen në polici… përveçse kur përfundojnë në video. Kjo është ajo që ndodhi me lojtarin e futbollit amerikan Ray Rice i skuadrës Baltimore Ravens, i cili më pas u përjashtua nga kampionati kombëtar, NFL. Materiali në vazhdim i hedh një vështrim incidentit në të cilin ai godet të fejuarën e tij – tashmë bashkëshortja e tij – dënimit të tij për sulmin dhe mënyrës se si kjo ngjarje mund të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit lidhur me problemin e rëndë të dhunës kundër grave.

Shkurtin e kaluar, kur një video u publikua dhe ku shfaqej Ray Rice duke tërhequr jashtë një ashensori Janay Palmer ndërsa ishte pa ndjenja, liga kombëtare e futbollit amerikan NFL e pezulloi lojtarin për dy ndeshje për dhunë në familje. Por shumë njerëz e kritikuan dënimin si tepër të lehtë.

Në muajin maj, Rice filloi terapinë... dhe në fund të korrikut ai foli për mediat:

"Bëra gabimin më të madh të jetës sime. Ajo nuk mund të bëjë asnjë të keqe. Ajo është një engjëll."

Por një tjetër video nga një kamera brenda ashensorit, e publikuar para pak ditësh nga faqja e internetit TMZ, tregon sulmin në detaje. Çifti duket të debatojë. Rice godet me pëllëmbë Janay Palmerin, e cila më pas reagon duke shkuar drejt tij. Në atë moment, ai e godet atë me grusht në fytyrë. E fejuara e sportistit bie duke goditur kokën tek mbajtësja brenda ashensorit, gjë që duket se e bën të humbasë ndjenjat.

Pasi pa këtë video, skuadra e Baltimore Ravens anuloi kontratën prej 35 milionë dollarësh të Ray Rice-it. Menjëherë pas kësaj, komisioneri i kampionatit NFL Roger Goodell pezulloi lojtarin pa afat.

Reagimi i publikut ishte i shpejtë. Shtëpia e Bardhë dënoi ashpër dhunën ndaj grave. Zëdhënësi Josh Earnest tha se si baba i dy vajzave, Presidentit beson se dhuna në familje është diçka "e përbuzshme dhe e papranueshme në një shoqëri të civilizuar."

"Si Presidenti dhe Zëvendëspresidenti kanë bërë komente shumë të ashpra publike duke folur se sa e rëndësishme është sidomos për meshkujt që të ngrihen dhe ta bëjnë të qartë se dhuna ndaj grave është diçka që nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet," tha zoti Earnest.

Rene Renick, zëdhënëse e Rrjetit Kombëtar për t'i Dhënë Fund Dhunës në Familje, i mirëpret reagimet dhe i tha Zërit të Amerikës përmes Skype-it se ajo shpreson që incidenti të tërheqë më shumë vëmendje ndaj këtij problemi serioz:

"Një në çdo katër gra amerikane do të përjetojnë dhunë në familje në një pikë të jetës. Shpresoj që federata NFL t’i përmbahet angazhimit për ta trajtuar këtë çështje seriozisht."

Një ditë pas masave ndaj bashkëshortit të saj, Janay Palmer përdori faqen e saj në Instagram për t’u përgjigjur. Ajo e quajti Ray Rice-n njeriun që ajo do dhe përshkroi dhimbjen që mediat dhe opinionet publike të padëshiruara në të gjithë vendin i kanë shkaktuar familjes së saj.

"Nuk e dimë se çfarë po ndodh me të, por shpesh viktimat bëhen të ndihen sikur është faji i tyre," tha aktivistja Rene Renick.

Zonja Renick thotë se reagimet ndaj këtij incidenti të shëmtuar dërgojnë një mesazh të qartë dhe të fuqishëm se dhuna në familje është e papranueshme.

XS
SM
MD
LG