Lidhje

Nick Burns: Jo status të veçantë për Veriun


Ish-nënsekretari amerikan i Shtetit Nicholas Burns paralajmëron se një status i veçantë politik për serbët e Veriut të Kosovës, do të vinte në rrezik qendrueshmërinë e vendit. Zoti Burns, i cili luajti rol qendror në mbështetjen amerikane për pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, thotë se komuniteti i serbëve në Veri duhet të jetë pjesë e shtetit të Kosovës dhe se Serbia është e nevojshme të pranojë plotësisht pavarësinë e Kosovës. Zoti Burns foli me Zërin e Amerikës nga studioja e Universitetit të Harvardit, ku është profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Zoti Burns, pyetja ime e parë na kthen në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë. Ju në atë kohë ishin nën Sekretar i Shtetit për Çështje Politike dhe Shtetet e Bashkuara luajtën një rol qendror. Ne do të donim të dinimin mendimin tuaj për zhvillimet e atjeshme. Pesë vjet pas pavarësisë a kanë shkuar ngjarjet siç parashikonit ju?

Nicholas Burns: Unë kisha bindje të plotë atëherë dhe akoma e kam këtë bindje se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për pavarësinë e Kosovës ishte vendim i drejtë. Ishte shumë e qartë pasi mbaroi lufta e Kosovës, pas ngjarjeve të prillit, majit dhe qershorit të vitit 1999, se Kosova nuk mund të kthehej më kurrë nën Serbinë. Unë kisha shkuar shpesh në Kosovë nga viti 1999 deri në 2008. Ishte e qartë për mua, si nga takimet me komunitetin e shqiptarëve të Kosovës, me komunitetin e serbëve të Kosovës, ashtu edhe nga vizitat në Beograd për t’u takuar me udhëheqësit atje, se Kosova meritonte pavarësinë, se ishte një vend i pandarë, se plagët e shkaktuara nga ndarja me Serbinë ishin aq të thella saqë nuk mund të shëroheshin kurrë brenda Serbisë. Kështu, Presidenti Bush dhe Sekretarja e Shtetit Condoleezza Rice morën një vendim të rëndësishëm që ne ta mbështesnin popullin e Kosovës, të punonim me të gjitha forcat dhe ne e bëmë një gjë të tillë, të ishim përkrahësit kryesorë të pavarësisë së Kosovës. Jam shumë krenar që vendi im luajti rol në këtë drejtim.

Zëri i Amerikës: Tani jemi përsëri në një moment kyç. Serbia dhe Kosova po zhvillojnë bisedime për zgjidhjen e çështjes së vështirë të Veriut, e cila mund të ketë ndikim për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Thelbi i mosmarrëveshjes është nëse komuniteti serb në veri të Kosovës do të ketë kompetenca ekzekutive dhe legjislative, siç do Serbia, apo të jetë thjesht një asociacion komunash siç do Kosova, mbështetur në Planin Ahtisaari. Cili është mendimi juaj?

Nicholas Burns: Sigurisht që të drejtat e njeriut për serbët e Kosovës duhet të respektohen, por nga ana tjetër ky komunitet duhet të jetë pjesë e shtetit të Kosovës dhe nëse atyre u jepen status dhe privilegje të veçanta politike, do të thotë që nuk ka garanci për stabilitetin e vendit. Prandaj unë jam dakord me qeverinë e Kosovës se këto komunitete duhet të jenë pjesë e sistemit politik brenda Kosovës. Dhe mendoj se kohët e fundit Beogradi ka bërë disa deklarata shumë dramatike, në të cilat shihet se e kupton që nëse Serbia dëshiron që e ardhmja e saj të jetë në Bashkimin Evropian, atëherë ata duhet të jenë shumë më të hapur për pavarësinë e plotë të Kosovës dhe duhet të ketë një normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, një barazi të plotë mes tyre dhe një njohje të plotë nga Serbia të pavarësisë së vërtetë të Kosovës. Ky është qëndrimi amerikan dhe ky është qëndrimi im si qytetar privat.

Zëri i Amerikës: Është hera e parë që Kosova, Serbia dhe komuniteti ndërkombëtar po merren seriozisht me çështjen e Veriut, pasi e kanë neglizhuar për një kohë kaq të gjatë. Në këtë fazë të procesit, a mendoni se kjo çështje mund të zgjidhet dhe si? A mendoni se Serbia do ta hapë rrugën për përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës, në mënyrë që të dyja vendet të ecin përpara?

Nicholas Burns: Serbia duhet ta bëjë një gjë të tillë. Është në interesin e serbëve t’i lënë pas luftrat e Ballkanit, të lënë pas luftrat e ish-Jugosllavisë, të pranojë realitetin e pavarësisë së Kosovës, pasi nuk ka kthim prapa për këtë çështje. Kosova është një shtet i pavarur, do të vazhdojë të jetë i tillë. Unë shpresoj që ajo të përparojë dhe vendi të stabilizohet dhe që kjo të realizohet serbët duhet ta ndërmarrin këtë hap të rëndësishëm. Ata nuk do të pranohen kurrë plotësisht në Bashkimin Evropian, ose në NATO nëse nuk normalizojnë plotësisht marrëdhëniet me Kosovën. Mendoj se serbët po ecin në drejtimin e duhur dhe unë i vlerësoj për këtë. Kjo është një kohë e ndryshme nga ajo e viteve 2007-2008 kur serbët e kundërshtonin plotësisht pavarësinë e Kosovës dhe unë e kujtoj shumë mirë atë kohë. Prandaj jam optimist se kjo do të ndodhë.

Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur Kosovën dhe kanë ndikim te Kosova. Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian ka ndikim te Serbia për t'i bërë thirrje për një marrëveshje. Si mendoni se po përdoret ose duhet të përdoret ky ndikim në mënyrë që të dyja palët të tregojnë elasticitet më të madh, pra si nga Kosova edhe nga Serbia?

Nicholas Burns: Mendoj se është përgjegjësi e vendit tim, Shteteve të Bashkuara, që të vazhdojnë t'u kujtojnë autoriteteve në Kosovë se popullata pakicë, serbët e Kosovës, kanë të drejtë të jetojnë në Kosovë, duhet të jenë në gjendje të jetojnë në paqe, pa u diskriminuar dhe pa u frikësuar. Kjo është një përgjegjësi e rëndësishme për të cilën qeveria e Kosovës na ka dhënë sigurime. Mbi këtë bazë ne i mbështetëm ata për pavarësinë në vitin 2008. Nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që Bashkimi Evropian të tregohet shumë i vendosur për të bindur qeverinë serbe se ajo nuk mund të bëhet dot pjesë e Bashkimit Evropian nëse serbët nuk e pranojnë plotësisht shtetin e Kosovës dhe nuk vendosin marrëdhënie diplomatike me të në një ardhme. Pra, mendoj se keni të drejtë. Të dy vendet kanë përgjegjësi, ndërkohë që si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Bashkimi Evropian duhet të ushtrojnë ndikimin e duhur për t'i bindur ata që të pranojnë plotësisht njëri-tjetrin, të pranojnë respektimin e plotë të të drejtave të njeriut për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë e në Serbi.

Zëri i Amerikës: Dy vendet duhet të takohen javën tjetër dhe pastaj javën pasardhëse për të arritur ndoshta një marëveshje, dhe duket se Bashkimi Evropian po i nxit palët që të arrihet një marrëveshje për çështjen e Veriut të Kosovës. A parashikoni që kjo të arrihet së shpejti? Nga ekspertiza juaj, a shikoni një mundësi që dy palët ta zgjidhin këtë problem?

Nicholas Burns: Unë nuk punoj më në qeverinë amerikane, prandaj nuk mund ta di se çfarë do të ndodhë në këto bisedime. Këtë do t'ua lë të tjerëve. Por mendoj se Serbia ka bërë përparim mjaft të madh dhe udhëheqja serbe ka treguar një hapje të re ndaj Kosovës dhe pavarësisë së saj. Shpresoj se ky proces do të vazhdojë në Serbi dhe do të përfundojë, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të përballen me të ardhmen në një mënyrë të re, duke respektuar plotësisht sovranitetin dhe tërësinë territoriale të njëra-tjetrës si dhe pavarësinë. Ky është synimi. Nuk e di se çfarë përparimi do të bëhet në bisedimet e ardhshme, por mendoj se ka shumë rëndësi që të bëhet përparim.

Zëri i Amerikës: Shumë nga çështjet që lidhen me një marrëveshje të tillë kanë natyrë teknike por kanë të bëjnë edhe me anën emocionale, si nga Kosova edhe nga Serbia dhe në Ballkan kjo është e kuptueshme. Çfarë do t'u këshillonit qeverive dhe udhëheqësve të dy vendeve për të qenë pragmatikë lidhur me të ardhmen e qytetarëve të tyre?

Nicholas Burns: Mendoj se qeveria e Kosovës është e nevojshme të mbajë marrëdhënie të hapura dhe konstruktive me popullsinë kosovare serbe në Veri dhe kudo në Kosovë. Kjo është në interes të qeverisë së Kosovës por është edhe një detyrim i tyre, si një vend evropian, që duhet të jetë i angazhuar plotësisht ndaj të drejtave të njeriut. Qeveria e Serbisë është e nevojshme t'ia bëjë fare të qartë popullatës serbe në Kosovë se nuk do të vazhdojë t'i inkurajojë ata, siç ka vepruar në të kaluarën, që ata të jetojnë të ndarë nga shteti i Kosovës. Është e nevojshme të ketë një integrim të plotë të serbëve të Kosovës në jetën e Kosovës, në politikën e Kosovës. Pra, mendoj se të dyja qeveritë është e nevojshme të dërgojnë sinjalet e duhura dhe kam besim se ato do ta bëjnë këtë.
XS
SM
MD
LG