Lidhje

Një kantinë vere në Krime drejt suksesit


Shumë banorë të Krimesë votuan për t’iu bashkuar Federatës Ruse, me shpresën për të përmirësuar mirëqenien e tyre. Ekonomia e dobët e Ukrainës i ka dëmtuar bizneset në mbarë vendin, ndërsa Rusia ka akumuluar pasuri të konsiderueshme përmes shitjes së energjisë. Zllatica Hoke e Zërit të Amerikës njofton lidhur me një kantinë vere të Krimesë, drejtuesit e së cilës shpresojnë se kanë për të përfituar nga aneksimi i rajonit nga Rusia:

Gadishulli i Krimesë mund të jetë më tepër i njohur për brigjet e bukura dhe portet e Detit të Zi, por industria kryesore e rajonit është industria ushqimore, përfshirë traditën shekullore të prodhimit të verës.

Kantina e verës Novy Svet, e njohur për prodhimin e verërave të bardha të gazuara, u bë pronë e shtetit rus pas aneksimit muajin e kaluar të Krimesë. Nëndrejtoresha e kantinës, Lina Domatievskaya, thotë se kjo mund të jetë diçka e mirë.

"Unë mendoj se tani kantinës sonë do t’i kushtohet më tepër vëmendje. Më parë, ajo ishte pronë e Ukrainës, ishte një kompani shtetërore, dhe shteti nuk na ndihmonte financiarisht. Shpresoj që tani Republika e Krimesë do të na kushtojë më tepër kujdes. Kantina jonë është 136 vjeçare, ajo ka vlera historike.”

Domatievskaya thotë se Novy Svet mund të humbë një pjesë të tregut të saj në Ukrainë dhe do t’i duhet të konkurrojë me prodhues të tjerë të verës për të tërhequr klientë në Rusi. Ajo shpreson se Moska do të ndihmojë.

"Vitin e kaluar ne ia shisnim mbi 35 për qind të prodhimit Federatës ruse dhe pjesa tjetër shitej në tregun e Ukrainës.”

Specialistja e prodhimit Lyudmila Zadorozhnaya thotë se cilësia e verërave të tyre të bardha është e sigurtë të jetë e mirë. Por ajo shton se kompania do të ketë më tepër mundësi për t’u zhvilluar, në se siguron të drejtën e pronësisë për disa vreshtari në rajon.

"Unë mendoj se kantina do të rigjallërohet. Ajo e ka emrin e mirë, dhe ajo që na ka munguar gjithmonë, është se ne kemi dashur gjithmonë të kemi vreshtat tona. Ne jemi kompani shtetërore dhe punojmë me prodhimet e të tjerëve. Ëndërra jonë e papërfunduar, shpresoj se do të plotësohet, që të kemi vreshtat tona, si në Abrau Durso (në Rusi), dhe do të vazhdojmë të prodhojmë verë me metodën franceze.”

Domatievskaya mendon se Kantina Novy Svet Winery do të jetë e sukseshme.

"Shishet lidhen me njëra tjetrën me fjongon e Shën Gjergjit, që është simbol i fitores. Kjo simbolizon edhe mënyrën se si ndjehemi ne sot.”


Novy Svet" do të thotë “Botë e re” në rusisht. Kantina u themelua gjatë perandorisë ruse, me qëllim që të prodhojë verë të bardhë të cilësisë së lartë, e cila të konkurrojë me shampanjat më të njohura franceze.

Ukraina ka qenë furnizuesja më e madhe me verë e Bashkimit Sovjetik, për prodhimi i saj i verës pësoi rënie pas përpjekjeve të qeverisë sovjetike për të luftuar alkoholizimin, një masë që përfshiu shkatërrimin e shumë vreshtave.




XS
SM
MD
LG