Lidhje

Nju Jorku, pagesë për qeset plastike?


Bota konsumon qindra miliarda qese plastike çdo vit. Aktivistët e mjedisit thonë se ato janë të vështira për t’u ricikluar, përbëjnë shpërdorim dhe dëmtojnë biosferën. Ata duan të ndalohet përdorimi i qeseve plastike ose – siç veprohet në shumë komunitete – të paguhet për to një tarifë. Por industria e qeseve plastike e mbron përdorimin e tyre, duke thënë se njerëzit i ripërdorin ato, ndërsa disa zyrtarë argumentojnë se riciklimi është një çështje përgjegjësie personale dhe nuk duhet të rregullohet me ligj.

Zyrtarë të qytetit të Nju Jorkut thonë se njujorkezët përdorin 5,2 miliardë qese plastike në vit. Ato jepen falas në pothuajse çdo supermarket, farmaci apo dyqane të tjera. Shumë njerëz i preferojnë.

"Kështu amballazhohen gjërat ditët e sotme."

"Ata përdoren lehtësisht, nuk peshojnë dhe nuk zënë shumë vend."

"Nuk ndihem mirë për to, por ndonjëherë i përdor sepse janë të përshtatshme."

Por ajo që ndodh me ato qese pasi përdoren është një problem i madh mjedisor, thotë Lilly Belanger e organizatës No Impact Project.

"Ato gjenden në plazhe. Janë pjesë e vorbullave që ngrihen nga stuhitë. Gjenden mbi pemë. Gëlltiten nga gjallesat detare. Dhe kur kjo ndodh, duhet të kujtojmë që ne i hamë gjallesat detare. Ajo që është e keqe për planetin është pothuajse gjithmonë diçka e keqe për ne."

Qeset plastiket bëhen me anë të produkteve të naftës dhe gazit natyror dhe nuk dekompozohen. Lilly Berenger thotë se ato janë të vështira për t’u ricikluar. Për këtë arsye, bashkia e Nju Jorkut City shpenzon rreth 10 milionë dollarë në vit për të transportuar rreth 100 mijë tonë qese plastike që depozitohen jashtë shtetit të Nju Jorkut.
Avokatja Jennie Romer e organizatës Plastic Bag Laws ndihmon në krijimin e legjislacionit vendor dhe shtetëror për t’i ndaluar qeset plastike ose për vënien e një tarife për përdorimin e tyre. Ajo thotë se gati 150 qytete amerikane e kanë bërë këtë, me rezultate pozitive.

"Në Uashington, një pagesë prej 5 për qind për çdo qese një-përdorimshe çoi në një ulje prej 60 për qind të përdorimit të tyre, ndërsa në Los Anxhelos, në Kaliforni, ndalimi i qeseve plastike dhe një pagesë prej 10 centë për qese letre çuan në një ulje prej 95 për qind të përdorimit të përgjithshëm të tyre."

Në Nju Jork, aktivistë të mjedisit dhe disa anëtarë të këshillit bashkiak propozojnë një ligj për një pagesë prej 10 centësh për çdo qese plastike. Kjo është diçka e tepruar nga ana e qeverisë, thotë Mark Daniels i Aleancës Progresive të Qeseve, një grup që merret me tregtinë në këtë industri. Ai foli me anë të Skype-it.

"Është gjithashtu përgjegjësia jote personale. Nëse je në një dyqan, dhe ble një pako çamçakëzash dhe një Cola, nuk të duhet patjetër një qese plastike. Mund ta refuzosh."

Jennie Romer thotë se zakonisht njerëzit nuk refuzojnë diçka që i shërben dhe është falas.

"Por me një pagesë prej 10 për qind për çdo qese, ka më shumë gjasa që konsumatorët të mendohen nëse kanë vërtetë nevojë për të apo jo. Dhe kjo është ajo që janë duke bërë këto ligje."

Mark Daniels thotë se shumica e njerëzve i ripërdorin qeset plastike në shtëpi dhe kufizimi i përdorimit të tyre do t’u kushtonte njerëzve vende e pune në sektorin e prodhimit të qeseve plastike dhe në qendrat e riciklimit.

Grupet mjedisore po punojnë me ngut të propozojnë referendume për tarifa mbi qeset plastike në sa më shumë vende dhe para ligjvënësve bashkiak dhe shtetëror, ndërkohë që qeveria federale raporton një rritje dramatike të numrit të qeseve plastike që amerikanët përdorin çdo vit.
XS
SM
MD
LG