Lidhje

Ish-basketbollisti amerikan: Pheniani do dialog


Ish ylli amerikan i basketbollit Dennis Rodman, i cili vizitoi kohët e fundit Korenë e Veriut, tha se udhëheqësi Kim Jong Un mezi pret të fillojë një dialog me presidentin amerikan Barack Obama.

"Mendoj se ai dëshiron të ndryshojë diçka pasi ka një pikëpamje tjetër. U ula dhe bisedova me të për dy ditë. Gjëja e vetme që më kërkoi të bëja ishte të përcillja mesazhin se ai dëshiron që Obama t’i telefonojë”.

Rodman tha për kanalin televiziv ABC se udhëheqësi i ri i Koresë së Veriut pëlqen basketbollin, ashtu si edhe presidenti Obama dhe Rodman sugjeroi se të dy mund të fillojnë një lidhje rreth interesit të përbashkët në sport.

Ish lojtari i ligës NBA, i njohur për pamjen e tij ekstravagante dhe deklaratat provokuese, komentoi pas kthimit nga një vizitë në vendin komunist ku filmoi një dokumentar. Ai tha se nuk është dakord me çdo gjë që ka bërë Kim Jon Uni, por se e pëlqen atë si njeri dhe e quan mik.

Departamenti amerikan i Shtetit e ka bërë të qartë se vizita e Rodmanit ishte thjesht private. Javën e kaluar zyrtarët kritikuan Korenë e Veriut
që shtronte darka për yllin amerikan ndërsa populli i vet jeton i uritur.

Rodman është amerikani më i njohur që takohet me Kim Jong Un-in që kur ai mori pushtetin nga i ati, Kim Jong Il, në vitin 2011.

Marrëdhëniet mes dy vendeve janë keqësuar sidomos pas lëshimit nga Koreja e Veriut të një rakete në dhjetor dhe një prove të tretë bërthamore të kryer prej saj muajin e kaluar.
XS
SM
MD
LG