Lidhje

Një pallto në të ftohtin e Nju Jorkut


Sezoni i festave që e bën Nju Jorkun një destinacion aq të njohur turistik është mbyllur. Me gjithë bukuritë e tij qyteti ka hyrë tani në javët më të ftohta të dimrit dhe jo të gjithë e përballojnë dot ngrohjen. Ramon Taylor i Zërit të Amerikës përgatiti këtë material.

Për më shumë se 8 milionë njerëz që banojnë në Nju Jork, mënyra më e mirë për t'i mbijetuar të ftohtit është e thjeshtë – të vishesh trashë dhe të mos dalësh nga shtëpia. Por, për ata që nuk kanë mundësi puna është më e ndërlikuar. Sepse shumë njerëz nuk kanë para as për një pallto dimri.

"Në qytetin e Nju Jorkut sot, janë mbi 2 milion njerëz që e kanë tepër të vështirë të sigurojnë ushqimin dhe veshjen për veten e për fëmijët, për të jetuar në mënyrë normale. Veshja është një pjesë shumë e rëndësishme e kësaj."

Tim Gibson është një vullnetar në organizatën Nju Jork Cares, grupi më i madh i menaxhimit vullnetar në këtë qytet. Çdo vit, duke filluar në tetor, ata bashkëpunojnë me bizneset për të mbledhur dhe shpërndarë pallto të përdorura për njerëzit në nevojë. Këtë vit kërkesa është për 103,000 pallto, një e katërta e tyre për fëmijët.

"Kjo është një nismë e rëndësishme, që realizohet brenda një hapësire të ngushtë kohe, që grumbullon një veshje mjaft të nevojshme dhe ia shpërndan atë përsëri komunitetit."

Nisma përfshin 300 pika për dorëzimin e palltove në të gjithë qytetin, dhe më gjerë. Njerëzit mund të dhurojnë edhe xhaketa të reja përmes Amazon.com.

Tani që temperaturat bien rregullisht nën zero, nuk ka më kohë për të pritur. Deri tani, organizata "New York Cares" ka mbledhur dhe dhuruar rreth 71.000 pallto për këtë vit. Siç shpjegon Derrick Matai, kandidatët më të mundshëm për t'i marrë ato nuk janë vetëm njerëzit e pastrehë.

"Ajo që shumë njerëz nuk kuptojnë, ndonëse disa e kuptojnë, është se ky qytet është tepër i shtrenjtë. Shumë pallto nuk u shkojnë vetëm të pastrehëve. Ka edhe njerëz që punojnë shumë por që nuk u del për të ushqyer veten dhe familjet."

Për disa, dhurimi i një palltoje shihet me mirënjohje, të tjerë e shohin si diçka të natyrshme.

"Kur vesh një pallto, njeriu ndjen kënaqësi dhe ngrohtësi."

"Është dhurata më e bukur e Krishtlindjeve kur sheh se dikush merr një pallto, kur e di se ajo do ta mbajë ngrohtë."

Një dhuratë kaq bujare, për të cilën këta vullnetarë të Nju Jorkut ndihen krenarë:

"Faleminderit, Nju Jork!"

XS
SM
MD
LG