Lidhje

Presidenti Obama do të presë 50 udhëheqës afrikanë


Presidenti Barack Obama pret të hënën në Uashington rreth 50 udhëheqës afrikanë, në një takim që ai e ka cilësuar "të paprecedent".

Presidenti Obama i tha të premten gazetarëve se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë më të angazhuara me Afrikën dhe se takimi është një rast për të trajtuar çështje ekonomike dhe të sigurisë së kontinentit.

Shpërthimi i virusit të Ebolës në Afrikën Perëndimore, mund të jetë një nga çështjet që do të diskutohen në takim. Zoti Obama tha se udhëheqësit afrikanë nga vendet që janë prekur dhe rrezikohen më tepër nga virusi do t'i nënshtrohen analizave për sëmundjen para se të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

Udhëheqësit e Sierra Leones dhe Liberisë e anuluan udhëtimin për në Washington, për t'u marrë me rastet e Ebolës në vendet e tyre.

Zyrtarët amerikanë thonë se të gjitha vendet e ftuara për të dërguar delegacion në takimin tre-ditor do të vijnë; shumica e tyre do të kryesohen nga presidentët, ndërsa disa të tjerë nga nënpresidentë, ose zyrtarë të tjerë qeveritarë.

Zyrtarët thonë se vetëm katër udhëheqës afrikanë u përjashtuan nga bisedimet: presidentët e Zimbabves, Sudanit, Eritresë, dhe Republikës së Afrikës Qendrore.

Shtëpia e Bardhë thotë se nuk janë në plan të mbahen takime dy-palëshe mes presidentit Obama dhe homologëve të tij afrikanë. Megjithatë, zyrtarët thanë se presidenti do të organizojë një darkë-gala për të gjithë udhëheqësit afrikanë të martën.

XS
SM
MD
LG