Lidhje

Obama riafirmon angazhimin ndaj Japonisë


Presidenti Barak Obama riafirmoi angazhimin që SHBA kanë në bazë të traktatit për të mbrojtur Japoninë, duke përfshirë një grup ishujsh të Detit të Kinës Lindore, për të cilët kanë pretendime si Tokioja edhe Pekini.

Pas një takimi në Tokio me kryeministrin Shinzo Abe, zoti Obama deklaroi pa mëdyshje se ishujt që Japonia i quan Senkaku dhe Kina i njeh me emrin Diaoyu, janë pjesë e traktatit që detyron Shtetet e Bashkuara për të mbrojtur Japoninë nëse sulmohet.

"Ne nuk mbajmë qëndrim lidhur me përcaktimin përfundimtar të sovranitetit për ishujt Senkaku, por historikisht ata janë administruar nga Japonia dhe ne nuk besojmë se ata duhet të bëhen subjekt ndryshimi në mënyrë të njëanshme. Pjesë përbërëse e aleancës është fakti se traktati mbulon të gjitha territoret e administruara nga Japonia," tha Presidenti Obama.

Kjo është deklarata më e fuqishme e bërë deri tani nga një president amerikan lidhur me çështjen e këtyre ishujve.

Zoti Obama bëri komente të ngjashme të mërkurën në një intervistë me një gazetë japoneze. Kjo shkaktoi reagimin e ministrisë së Jashtme të Kinës, e cila paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara "nuk duhet të mbajnë anë", por "të respektojnë faktet" që lidhen me çështjen.

JAPONIA, NDALESA E PARË E TURNEUT AZIATIK

Presidenti Obama e filloi vizitën e tij shtetërore në Japoni me një pritje nga Perandori Akihito në Pallatin Perandorak.

Zoti Obama u përshëndet në kompleksin perandorak nga një roje ushtarake nderi dhe fëmijë me flamuj amerikanë e japonezë. Më pas ai pati një takim me dyer të mbyllura me perandorin.

Zoti Obama dhe Kryeministri Shinzo Abe u takuan dje për darkë në një restorant të kuzhinës japoneze në Tokio. Restoranti me famë për sushi, administrohet nga 88-vjeçari Jiro Ono, i cili ka marrë emër për teknikën e përgatitjes së sushit, që ishte tema e një dokumentari të vitit 2011.

Zoti Abe u tha gazetarëve se presidenti lavdëroi darkën me fjalët “ishte sushi më i mirë që kam ngrënë në jetë”.

Shqetësimet e sigurisë lidhur me pretendimet territoriale të Kinës dhe programin bërthamor të Koresë së Veriut do të jenë në fokus të udhëtimit të zotit Obama, që përveç Japonisë, përfshin ndalesa në Korenë e Jugut, Malajzi dhe Filipine.
XS
SM
MD
LG