Lidhje

Presidenti Obama në Flint të Miçiganit


Presidenti amerikan Barak Obama po zhvillon sot një vizitë në qytetin Flint të Miçiganit për t’u takuar me banorët të cilët kaluan probleme të shumta nga ndotja e ujit me përbërës të rrezikshëm. Presidenti do të njihet nga afër me ndihmat që u janë ofruar banorëve për të kapërcyer krizën. Presidenti do të shkojë të takohet me komunitetin në një shkollë të mesme ku nxënësit i përkasin në pjesën dërrmuese komunitetit afrikano-amerikan. Ai e planifikoi udhëtimin pasi mori letër nga një vajzë e vogël tetë-vjeçare.

Shtëpia e Bardhë tha dje se vizita e zotit Obama dëshmon mbështetjen e tij të vazhdueshme për banorët e Flintit:

“Siç e tha presidenti në letrën që i dërgoi javën e kaluar Mari Copeny-it, e cila njihet në qytet si E Vogla Miss Flint, banorët duhet të jenë të bindur se kur të largohen kamerat, mbështetja e administratës për përpjekjet në shkallë bashkie dhe shteti do të vazhdojë,” - tha Josh Earnest, Zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

Kriza e ujit ishte rezultat i ndryshimit së burimit të ujit, duke përdorur tani ujin e Lumit Flint që ka përbërje të lartë kripërash. Kripërat shkaktuan gërryerje të tubave dhe si rezultat pati rrjedhje plumbi në ujë. Banorët rezultuan me nivele të larta plumbi në gjak. Për fëmijët plumbi është shumë i rrezikshëm.

“Më erdhi një familje në klinikë. Nëna ishta shumë e shqetësuar. Komuniteti është në traumë, pasi nuk e dinë çfarë mund t’u ndodhë fëmijëve. Plumbi shkakton probleme të pashërueshme në proceset mendore të fëmijës,” thotë pediatrja Mona Hanna-Attisha.

Kur u bë i ditur problemi vjet amerikanët, së bashku me Presidentin Obama, shprehën revoltim:

“Fëmijët tanë nuk duhet të shqetësohen për ujin që pinë në qytetet amerikane. Kjo është e papranueshme,” - tha presidenti.

Muajin e kaluar prokurori i përgjithshën i Miçiganit ngriti akuza kundër tre zyrtarëve lidhur me ndotjen e ujit që ka vënë në rrezik 100 mijë vetë. Protestuesit kërkuan dorëheqjen e Guvernatorit Rick Snyder. Ai thotë se nuk ka bërë gjë gabim dhe se do të kërkojë ndihma federale shtesë gjatë takimit me zotin Obama.

Rick Snyder, guvernatori i Miçiganit

“Mendoj se ka vend që të punojmë së bashku. E vlerësoj atë që është bërë; le të vazhdojmë të punojmë për këtë çështje, pasi është prioritare,” tha guvernatori.

Zoti Snyder ka dalë para publikut duke pirë ujin e çesmes në Flint për t’u treguar banorëve se është i pishëm. Por banorët thonë se uji mban erë kimikatesh.

XS
SM
MD
LG