Lidhje

Presidenti Obama dhe sistemi i imigracionit


Uashingtoni po bëhet gati për një tërmet të mundshëm politik gjatë kësaj jave, në qoftë se Presidenti Barack Obama realizon premtimin e tij për të reformuar sistemin shpesh të kritikuar të imigracionit përmes një urdhëri ekzekutiv. Zoti Obama mund të anashkalojë Kongresin për të mbrojtur miliona emigrantë pa dokumente nga deportimi - një veprim që do të nervozonte republikanët të përgatitur për të marrë kontrollin e plotë të kongresit në janar.

Çfarë do të bëhet me gati 12 milionë njerëz që jetojnë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara, disa prej të cilëve kanë tashmë fëmijë të lindur në Amerikë? Për vite, Kongresi ka debatuar këtë çështje por pa mundur të miratojë ligjin për reformën e imigracionit.

Në qershor, presidenti Obama dukshëm i nervozuar, tha se durimi ka kufi:

“Po filloj një përpjekje të re për të ndrequr sa më shumë që të mundem nga sistemi i imigracionit. Në se Kongresi nuk e bën punën e tij, të paktën ne duhet të bëjmë tonën.”

Presidenti premtoi përsëri gjatë turneut në Azi javën e kaluar duke thënë se republikanët duhet të fajësojnë veten e tyre në se ai vepron i vetëm.

“Jam gjithnjë i interesuar për të negociuar një zgjidhje të problemit të imigracionit dhe në momentin që ata të miratojnë një projekt-ligj që mund ta nënshkruaj që rregullon sistemin e imigracionit, atëherë çdo veprim ekzekutiv mund të anashkalohet. Pra ata e kanë mundësinë të ndreqin sistemin. Por nuk është e mundur të më presin mua të rri pa vepruar përjetësisht me këtë sistem jofunksional."

Reagimet në Kongres ishin të ashpra. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner:

“Ne do ta luftojmë presidentin me të gjitha mjetet në se vazhdon në këtë rrugë. Kjo është mënyra e gabuar për të qeverisur. Kjo është ajo që tha populli amerikan ditën e zgjedhjeve. Pra të gjitha mundësitë janë në tryezë për diskutim.”

Kjo pikëpamje u përcoll edhe nga senatori, Mitch McConnell, i cili në janar do të bëhet udhëheqësi i shumicës në Senat.

"Ndoshta kam shpresuar me naivitet që presidenti do të shihte rezultatet e zgjedhjeve dhe do të vendosje të afrohej dhe të bashkëpunonte me ne. Ende shpresoj se do ta bëj këtë në njëfarë pike, por shenjat e para nuk janë të mira."

Çdo veprim ekzekutiv që presidenti merr mund të sfidohet në gjykatë. Përveç kësaj, kryetari i dhomës së Përfaqësuesve, Boehner nuk përjashtoi mundësinë e bllokimit të buxhetit, një lëvizje që mund të shkaktojë një mbyllje të operacioneve jo-jetike të qeverisë muajin e ardhshëm.

Por disa anëtarë të partisë demokrate të presidentit thonë se veprimi ekzekutiv mbi reformën e imigracionit është më mirë se sa mossveprimi, cilado qoftë kostoja politike:

“Ne duam që presidenti të veprojë fuqishëm, me vendosmëri dhe tani”, - thotë ligjvenësi Luis Gutierrez:

Republikanët thanë se një urdhër ekzekutiv mbi imigracionin do të acaronte më tej marrëdhëniet mes Kongresit dhe Shtëpisë së Bardhë në dy vitet e fundit të zotit Obama në detyrë. Por presidenti duket i gatshëm ta ndërmarrë këtë rezik.

XS
SM
MD
LG