Lidhje

Vizita e Presidentit Obama në Indi


Shiu nuk e pakësoi entuziazmin për vizitën historike të Presidentit amerikan Barack Obama në Indi ndërsa mijëra trupa morën pjesë në një paradë madhështore sot, ku ai ishte i ftuari i nderit në ditën e dytë të vizitës së tij shtetërore.

Zoti Obama është i pari President amerikan që merr pjesë në Ditën e Republikës së Indisë, që kujton kushtetutën e parë të saj si shtet i pavarur, më 26 janar, 1950.

Turma në New Delhi shpërtheu në brohoritje ndërsa presidenti së bashku me Zonjën e Parë, Michelle Obama u ulën në krah të kryeministrit indian Narendra Modi, për të parë paradën.

Presidenti amerikan e kaloi ditën e parë të vizitës së tij 3 ditore dje, me zotin Modi dhe duke arritur disa marrëveshje:

“Sot ne arritëm një emërues të përbashkët për dy çështje që po na pengonim të ecnim përpara me bashkëpunimin bërthamor civil dhe ne jemi të angazhuar për një zbatim të plotë dhe ky është një hap i rëndësishëm që tregon se si mund të punojmë së bashku për të forcuar marrëdhëniet tona”.

Shtetet e Bashkuara nënshkruan një marrëveshje me Indinë në vitin 2008 për ta furnizuar me teknologji civile bërthamore. Por zbatimi i saj ka ngecur për shkak të një ligji indian që i bën kompanitë që ndërtojnë dhe prodhojnë paisjet përgjegjëse në rast incidentesh.

Zoti dhe zonja Obama morën pjesë mbrëmë vonë në një banket ku Presidenti Pranab Mukherjee përshëndeti marrëdhëniet në rritje Indi-SHBA:

“Zonja dhe zotërinj, ju ftoj të ngremë një dolli për Shkëlqesinë e tij, Presidentin Obama dhe shkëlqesinë e saj, zonjën Obama, për begatinë dhe mirëqenien e Shteteve të Bashkuara dhe për suksese të reja që do të forcojnë lidhjet e miqësisë dhe bashkëpunimit mes Indisë dhe Shteteve të Bashkuara”.

Zoti Obama do të flasë edhe në një forum drejtuesish të bizneseve amerikane dhe indiane.

Ai do të shmangë një vizitë në Taxh Mahal për të shkuar në Arabinë Saudite për të shprehur ngushëllimet pas vdekjes javën e kaluar të Mbretit Abdullah.

XS
SM
MD
LG