Lidhje

Disa ligjvënës amerikanë kërkojnë zgjerimin e sulmeve ndaj ISIL-it


Disa udhëheqës të Kongresit janë duke bërë thirrje për zgjerimin e sulmeve ajrore amerikane kundër grupit esktremist Shteti Islamik, duke thënë se vrasja e gazetarit amerikan James Foley shënon një pikë kthese në vlerësimin e kërcënimit që përbën rrjeti militant. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Kongres, Cindy Saine, na njeh me shtimin e presionit ndaj Presidentit Barack Obama, që ai të shqyrtojë sulme ajrore ndaj objektivave të Shtetit Islamik në Siri, ashtu sikurse edhe në Irak.

Kongresi amerikan është në pushimet e verës dhe ligjvënësit janë shpërndarë nëpër distriktet e tyre në mbarë vendin. Por një numër udhëheqësish të Kongresit folën të dielën në disa intervista televizive, ku shprehën shqetësimin që përbën grupi Shteti Islamik pas vrasjes brutale të gazetarit amerikan James Foley.

Kryetari republikan i Komisionit për Sigurinë Kombëtare në Kongres, Michael McCaul, i tha televizionit ABC News se Shteti Islamik, i njohur si ISIS, paraqet kërcënimin më të madh që ka parë bota që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001:

"Kjo gjendje është acaruar gjatë vitit të kaluar dhe tani po arrin kulmin me vrasjen një gazetari amerikan, gjë që unë mendoj se është një pikë kthese për popullin amerikan. Ky incident i ka hapur sytë se çfarë është në të vërtetë ISIL-i."

Me këtë mendim është dakord kryetari i Komisionit të Zbulimit të Kogresit, Mike Rogers. Rogers tha në një intervistë për emisionin "Meet the Press" të rrjetit NBC's, se një nga problemet është se disa luftëtarë nga Europa dhe nga SHBA kanë shkuar në Lindjen e Mesme për t'iu bashkuar grupit terrorist dhe se ata mund të shkojnë shumë thjesht në Perëndim:

"Ata shumë lehtë mund të blejnë një biletë avioni dhe të vijnë në SHBA dhe kjo është arsyeja përse ne jemi të shqetësuar."

Edhe gjenerali në pension i marinës amerikane John Allen është i të njëjtit mendim për seriozitetit e këtij kërcënimi. A i tha se SHBA duhet ta trajtojnë porblemin në kuadrin e rajonit, duke punuar me aleatët e tyre.

"Ky problem duhet trajtuar në tërësi, jo thjesht duke sulmuar pikat kryesore të ISIS-it, por si një problem rajonal."

Presidenti Obama është përpjekur ta kufizojë fushatën e re ushtarake në Irak, tek mbrojtja e civilëve, jeta e të cilëve është e kërcënuar, si dhe të diplomatëve amerikanë. Por ai ka thënë gjithashtu se SHBA do të tregohen të pamëshirshëm dhe do të bëjnë ç'është e mundur për të mbrojtur shtetasit amerikanë.

Anëtarët e Kongresit kanë reaguar me emocione të fuqishme ndaj ekzekutimit të James Foley-it, por disa janë paralajmëruar se SHBA nuk duhet të provokohen për të dërguar përsëri trupa në Irak. Kongresmenja demokrate Donna Edwards tha se Kongresi duhet të debatojë për çdo shkallëzim ushtarak kur anëtarët e Kongresit të kthehen në shtator:

"Ne duhet të zhvillojmë një debat. Kjo është shumë e rëndësishme. Nuk mendoj se presidenti mund të vazhdojë të japë autorizimin për luftë pa marrë autorizimin e Kongresit."

Analistët thonë se Presidenti Obama mund të peshojë pasojat e zgjerimit të ndërhyrjes ushtarake amerikane kundër grupit ektremist në ditët që do të vijnë.

XS
SM
MD
LG