Lidhje

Obama: Lufta kundër IS, jetike për sigurinë e SHBA


Presidenti amerikan Barak Obama tha se pjesëmarrja e pesë vendeve arabe në sulmet ajrore kundër militantëve në Siri i tregon botës se kjo nuk është vetëm luftë e Amerikës. Ai i bëri komentet sot, pas fillimit të një fushate të zgjeruar ajrore për të shkatërruar Shtetin Islamik dhe pjestarë të al-Kaidës që tani e quajnë veten grupi Khorasan në Siri.

Presidenti Obama tha se lufta e përbashkët kundër Shtetit Islamik do të kërkojë kohë, por është me rëndësi jetike për sigurinë e Shteteve të Bashkuara, Lindjes së Mesme dhe botës.

Zoti Obama i bëri komentet në Shtëpinë e Bardhë para se të nisej për në Nju Jork për takime në Kombet e Bashkuara.

"Duhet të jetë e qartë për të gjithë ata që komplotojnë kundër Amerikës dhe përpiqen t'u bëjnë keq amerikanëve se ne nuk do të tolerojmë asnjë strehë të sigurt për terroristët që kërcënojnë popullin tonë," tha Presidenti Obama.

Ai tha se SHBA janë krenare për faktin se qëndrojnë krah për krah Bahreinit, Katarit, Arabisë Saudite, Jordanisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në kryerjen e sulmeve ajrore.

Zoti Obama tha se bombardimet kishin në shënjestër ata që ai i quajti anëtarë "të sprovuar" të al-Kaidës, të njohur si Grupi Khorasan, të cilët kishin planifikuar një sulm në SHBA.

Një grup monitorimi tha se 120 militantë islamikë u vranë në Siri në raundin e parë të sulmeve ajrore të koalicionit ndërkombëtar.

Zëdhënësi i Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut në Londër, tha se të paktën 300 vetë, duke përfshirë anëtarë të Shtetit Islamik dhe al-Kaidës, u vranë ose u plagosën nga sulmet.

Fushata ajrore zgjeron përpjekjet e koalicionit të udhëhequr nga SHBA për të shkatërruar dy grupet. Bombardimet e mëparshme kishin si objektiv pozicionet e militantëve në Irak.

Sulmet dëmtuan ose shkatërruan komplekset e trajnimit, shtabin e militantëve dhe një qendër financiare, duke përfshirë edhe bazën e Shtetit Islamik në qytetin Raka.

Pentagoni thotë se në sulme morën pjesë avionë luftarakë, bombardues dhe anije me raketa kruz.

Ministria e jashtme e Sirisë tha se Shtetet e Bashkuara informuan ambasadorin e saj në Kombet e Bashkuara për sulmet përpara se ato të fillonin.

Udhëheqësit kurdë, refugjatët sirianë, dhe kreu i koalicionit kryesor opozitar sirian i mbështetur nga perëndimi i përshëndetën sulmet ajrore. Javën e kaluar, Shteti Islamik mori zona të tjera kurde në veri të Sirisë, përgjatë kufirit me Turqinë, duke bërë që më shumë se 130.000 njerëz të kalonin në Turqi për t'u shpëtuar militantëve.

Në një deklaratë të Komandës Qendrore amerikane thuhet se vetëm forcat amerikane kryen tetë sulmet ajrore të veçanta në perëndim të Aleppos kundër ish-luftëtarëve të al-Kaidës, të njohur tani me emrin Grupi Khorasan. Aty thuhet se bombardimet erdhën në përgjigje të shqetësimeve se ky grup ka plane për të goditur së shpejti objektiva të SHBA dhe vendeve të tjera perëndimore.

Më 10 shtator Presidenti Obama njoftoi se kishte autorizuar përdorimin në shkallë të gjerë të sulmeve ajrore kundër shtetit islamik, duke përfshirë sulme në Siri.

XS
SM
MD
LG