Lidhje

Merkel: Rusia rrezikon dëme të mëdha nga kriza


Germany Ukraine
Germany Ukraine
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se Russia rrezikon dëme të mëdha politike dhe ekonomike nëse nuk ndryshon kurs në çështjen e Ukrainës. Ajo hodhi poshtë çdo paralelizëm mes Krimesë dhe Kosovës, duke i quajtur të turpshme krahasime të tilla. Dje, Presidenti amerikan Barak Obama tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre mund të duhet t’i imponojnë Rusisë pasoja për ndërhyrjen e saj në Ukrainë.

Në një fjalim të mbajtur në parlament, Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel tha se tërësia tokësore e Ukrainës nuk është një çështje e hapur për diskutim.

Zonja Merkel u tha ligjvënësve se e vetmja mënyrë e daljes nga kriza është përmes diplomacisë dhe i siguroi ata se përdorimi i mjeteve ushtarake nuk është një alternativë.

Por ajo tha se Bashkimi Evropian dhe vende të tjera perëndimore së shpejti do të ngrijnë llogaritë bankare dhe do të imponojnë kufizime udhëtimesh nëse Rusia refuzon të hyjë në bisedime që synojnë rezultate dhe nuk janë thjesht lojë për të fituar kohë.

Nëse Moska nuk fillon të ulë tensionet, tha zonja Merkel, të 28 vendet e BE-së, Shtetet e Bashkuara dhe partnerë të tjerë do të marrin masa akoma më të ashpra që do ta goditin Rusinë ekonomikisht:

"Nëse Rusia vazhdon kursin e këtyre javëve të fundit, atëhere kjo do të ishte një katastrofë, jo vetëm për Ukrainën. Ne jo vetëm do ta përjetonim kërcënimin si fqinjë të Rusisë dhe kjo jo vetëm do të ndryshonte marrëdhëniet e krejt Bashkimit Evropian me Rusinë, por jam plotësisht e bindur se kjo do të kishte pasoja në shkallë të gjerë për Rusinë, si ekonomikisht ashtu edhe politikisht," tha zonja Merkel.

Zonja Merkel i quajti të turpshme paralelizmat që bëhen mes Krimesë dhe Kosovës. Rajoni ukrainas i Krimesë nuk mund të krahasohet me rastin e Kosovës, tha ajo.

Perëndimi dhe Rusia janë mbërthyer në një situatë të tensionuar lidhur me gadishullin e Krimesë në Ukrainën jugore.

Edhe Presidenti Obama e paralajmëroi dje Rusinë të ndryshojë kurs se përndryshe do të ndeshet me sanksione.

Duke folur dje në Shtëpinë e Bardhë në praninë e kryeministrit të përkohshëm të Ukrainës, Arseni Jatseniuk, Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre mund të duhet t’i imponojnë Rusisë pasoja për ndërhyrjen e saj në Ukrainë.

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar kufizime vizash dhe sanksione të tjera financiare.

Kriza po thellohet, ndërkohë që janë njoftuar plane për një referendum të mbështetur nga Moska këtë të dielë për të vendosur statusin e gadishullit të Krimesë.

Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë këtë referendum, por ai shprehu shpresën se Rusia do të heqë dorë nga këto plane:

“Ne nuk do të njohim rezultatet e referendumit. Shpresoj se përpjekjet diplomatike gjatë ditëve të ardhshme do të sjellin një analizë të re të procesit që është planifikuar”, tha Presidenti Obama.

Megjithatë, forcat ruse që janë dislokuar në Krime nuk kanë shfaqur shenja se kanë ndërmend të tërhiqen.


Përpjekjet diplomatike vazhdojnë

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry po përgatitet të shkojë në Londër për një raund të ri bisedimesh me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov. Zoti Kerry ka lënë të kuptohet se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të vendosin sanksione:

“Gjendja mund të precipitojë shpejt nëse merren vendimet e gabuara; keqësimi mund të prekë një numër aspektesh, prandaj shpresojmë se mund të arrihen rezultate të arsyeshme”.

Mbetet për t’u parë nëse fjalët e Sekretarit të Shtetit do të ndikojnë tek veprimet e Rusisë. Forcat ruse që janë dislokuar në Krime nuk kanë shfaqur shenja të planeve për tërheqje.

Kurt Volker, ish-ambasador amerikan në NATO, foli dje në një diskutim të fondacionit Heritage në Uashington:

“Ne mund të themi çfarë të duam, por Putini ka marrë nën kontroll Krimenë, ky është fakt. Tani duhet të bëjmë diçka të qartë: nëse duam që kur shprehemi se këto veprime janë të papranueshme, se nuk i njohim këto akte si të përligjshme, nëse duam që këto fjalë të kenë kuptim, atëherë duhet të jemi të përgatitur t’i mbështesim me vepra”.

Udhëheqësi i ri i Ukrainës largohet nga Uashingtoni me angazhimin për përkrahje amerikane për të mbështetur qeverinë e tij, përfshirë garanci për kredi në shumën një miliard dollarë që tani presin miratimin e Kongresit.
XS
SM
MD
LG