Lidhje

Rënia e çmimit të naftës dhe ndikimet


Rënia dramatike globale e çmimit të naftës gjatë gjashtë muajve të fundit ka nxitur kompanitë amerikane të naftës që të pushojnë nga puna mijëra punonjës dhe të pezullojnë projektet e shpimit dhe kërkimit. Ndikimi është shtrirë edhe tek firmat e tjera që u ofrojnë shërbime ndihmëse firmave të nxjerrjes së naftës sidomos në shtetet e mëdha të prodhimit të naftës si Teksasi. Siç na njeh materiali në vazhdim, aktivitete të tjera ekonomike po e minimizojnë ndikimin negativ, të paktën për tani.

Naftëtarët po përballen me rrezikun e humbjes së vendeve të punës, ndërsa çmimi naftës pëson rënie. Por ndikimi është më i madh në rajone si Alaska apo Dakota e Veriut, ku kostoja e prodhimit është më e lartë se në rajonet naftëmbajtëse të Teksasit jug-qëndror.

Biznesi është shtuar madje edhe në këtë dyqan në Pleasanton, të Teksasit ku naftëtarët blejnë doreza, helmeta dhe paisje të tjera.

Pronari, James Strange, thotë se ndërsa para rënies së çmimit të naftës, blerësit nuk i kushtonin shumë rëndësi çmimit të pajisjeve që blenin, tani tregohen më të kujdesshëm:

“Tani që çmimi i naftës po bie dhe njerëzit po kursejnë, ata po mundohen të kursejnë për mallrat që blejnë”.

Duke mbajtur koston të ulët, disa firma mund të kenë përfitime për aq kohë sa çmimi i një fuçie naftë është mbi 40 dollarë.

Ekonomisti Adam Perdue me Institutin për Parashikimet Rajonale në Universitetin e Hjustonit, studion ndikimin nga ngadalësimi i ekonomisë:

“Buxhetet për eksplorimin dhe prodhimin po shkurtohen nga 10 deri 50 për qind, me shumicën në 30 për qind.”

Ekonomia e Hjustonit, thotë ai, që pati 5 përqind rritje vitet e fundit, do të preket nga shpenzimet e ulta:

“Po parashikojmë 20 mijë vende pune më pak. Ende po parashikojmë rritje ekonomike për zonën e Hjustonit por ajo do të jetë më e ulët, në një ritje normale prej më pak se dy për qind.”

Ngadalësimi po ashtu do të prekë kompanitë që prodhojnë tubacione për kërkimet dhe prodhimin e naftës si dhe kompanitë që transportojnë rërë dhe kimikate për shpimet hidraulike, dhe shumë kompani të tjera të vogla.

Por çmimi i ulët i naftës është nxitës për prodhuesit e artikujve të konsumit që përdorin hidrokarburet për të prodhuar një gamë të gjerë mallrash. Ekonomisti Perdue thotë se ndërtimi i një impianti kimikatesh pranë Hjustonit do të mbajë të punësuar shumë njerëz:

“Shumë prej naftëtarëve që do humbasin punën, do të jenë në gjendje të punësohen tek ky impiant në ndërtim.”

Zoti Perdue thotë se analistët parashikojnë rritjen e çmimit të naftës pas 6 muajve ndërsa mbingopja e tregut nga sasia e madhe e naftës së nxjerrë do të fillojë të ulet. Por ai thotë se, nëse këto parashikime janë të gabuara dhe çmimi i naftës vazhdon të bjerë, ndikimi në Hjuston dhe përgjithësisht në Teksas do të jetë edhe më i rëndë.

XS
SM
MD
LG