Lidhje

Ndihmës sekretari i përgjithshëm i OKB-së në Shkup


Ndihmës sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Ivan Shimonoviç, i cili ishte për vizitë në Shkup, vuri në dukje nevojën për hetime transparente dhe të besueshme për rastin e Kumanovës dhe skandalin e përgjimeve. Ai tha se në këtë proces duhet të përfshihet edhe faktori ndërkombëtar.

Zoti Shimonoviç bëri të ditur se ka biseduar me Prokurorin e përgjithshëm të Maqedonisë dhe ka mësuar për fillimin e hetimeve, ndërkohë që tha se për këtë duhet një ndihmë ndërkombëtare. Ai u tha mjeteve të informimit në Shkup se ky hetim, përveç dimensionit ligjor ka edhe atë politik dhe se më me rëndësi është që rezultatet e hetimit të jenë të besueshme për të gjithë.

Zyrtari i OKB-së ka shprehur shqetësime për liritë dhe të drejtat e njeriut në Maqedoni, duke lënë të kuptohet se rasti i Kumanovës dhe ai i përgjimeve ngrejnë dyshime për shkeljen e këtyre të drejtave. “Përmbajtja e bisedave të përgjuara në mënyrë joligjore dëshmon se këtu mund të jenë shkelur të drejtat e qytetarëve”, tha ndihmës-sekretari i Përgjithshëm i OKB-së. Ai bëri vërejtje edhe për kufizimin e lirisë së shprehjes dhe për politizimin e gjyqësorit.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon, i cili do të shkojë në Bruksel javën që vjen, do të bisedojë me zyrtarët evriopianë, mes tjerash, edhe mbi Maqedoninë.

XS
SM
MD
LG