Lidhje

OKB, e shqetësuar për të drejtave e njeriut në Ukrainën lindore


Vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara thonë se dhuna e ushtruar nga grupet anti-qeveritare në pjesën lindore të Ukrianës po shkakton “përkeqësim shqetësues” të të drejtave të njeriut në ballafaqimin e tensionuar politik mes Kievit dhe separatistëve pro-rusë.

Shefja e OKB-së për të drejtat e njeriut Navi Pillay tha dje se këto përfundime nga OKB ngrenë shqetësim për pakicat që ndeshen me kërcënime në Krime, rajoni jugor i vendit, i aneksuar nga Rusia në mars. As Kievi dhe as aleatët perëndimorë nuk e kanë njohur aneksimin.

Ministria e Jashtme ruse akuzoi dje OKB-në për “mungesë të plotë objektiviteti”. Ministria thotë se raporti kishte mungesë të dukshme konsistence dhe “standarde të dyfishta” si dhe mbante qëndrim tejet pozitiv ndaj “autoriteteve të vetëshpallura në Kiev”.

Separatistët në provincat lindore Donetsk dhe Luhansk zhvilluan referendum për vetëvendosje të dielën dhe shpallën “republika popullore” në dy rajonet. Udhëheqësi i separatistëve në Donetsk i ka kërkuar Moskës të shqyrtojë mundësinë e “përfshirjes” së Donetskut në Federatën Ruse.

Dje, Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës i cilësoi separatistët që shpallën Republikën Popullore të Donetskut dhe atë të Luhanskut si “organizata terroriste”.

Udhëheqësit e dy republikave separatiste kanë thenë se nuk do të lejojnë zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale të 25 majit në këto rajone.

Britania dhe Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar Rusinë se do të vendosin sanksione më të gjera ekonomike nëse Moska përpiqet të pengojë zgjedhjet në Ukrainë.

Ndërkohë, ka pasur njoftime për akte të tjera dhune dje në Ukrainën lindore, përfshirë luftime mes trupave qeveritare ukrainase dhe forcave separatiste në qytetet Slovyansk dhe Kramatorsk si dhe njoftime se separatistët kanë marrë nën kontroll kazermat e Gardës Kombëtare Ukrainase në Donetsk.
XS
SM
MD
LG