Lidhje

Operacion i gjërë anti-krim në Nju Jork


Autoritetet amerikane kanë kapur 120 vetë në Nju Jork nën dyshimet për përfshirje në banda kriminale. Operacioni është cilësuar si goditja më e madhe kundër aktivitetit kriminal në historinë e qytetit. Arrestimet u bënë gjatë të mërkurës në një seri bastisjesh.

Në njoftimin e saj, policia bën të ditur se janë arrestuar 120 pjesëtarë bandash që operonin në lagjen Bronx të Nju Jorkut dhe ndaj tyre rëndojnë akuza për vrasje me paramendim, plaçkitje dhe trafik droge.

“Sot njoftojmë një operacion që besojmë se është goditja më e madhe kundër aktivitetit kriminal në Nju Jork. Kemi akuzuar 120 të dyshuar në dy banda rivale në Bronx për vepra penale si kanosje për zhvatje parash, armëmbajtje të paligjshme dhe trafik droge. Disa akuzohen edhe për vrasje me paramendim, tentativë për vrasje, lëndim me armë të ftohtë dhe dhunë fizike në kuadër të aktivitetit të paligjshëm,” tha Prokurori i Distriktit të Nju Jorkut, Preet Bharara.

Sipas prokurorit të distriktit të Nju Jorkut, të akuzuarit dyshohen se kanë mbajtur stoqe me armë pa leje për t’i përdorur në aktivitetin e tyre kriminal. Dy bandat, sipas prokurorit, kanë përdorur rëndom median sociale për të reklamuar aktivitetin e tyre, si dhe për të mbrojtur territorin ku operonin dhe për të tërhequr rekrutë të rinj.

“E kam thënë shpesh se nuk zgjidhen problemet vetëm me arreste. Por në këtë rast prangat janë zgjidhja e duhur. Ka pjesëtarë të shoqërisë sonë që nuk duan ta kuptojnë. Ata veprojnë me vullnet të lirë pa dashur t’ia dinë se shkatërrojnë jetë të pafajshme. Këta individë nuk kanë vend në lagjet tona,” tha Komisioneri i Policisë së Nju Jorkut, William Bratton.

Ndër viktimat që mendohet se ka shkaktuar dhuna e këtyre dy bandave është për shembull një 92-vjeçare që u vra nga një plumb qorr që goditi shtëpinë e saj në Bronx në tetor 2009.

Sipas policisë, bandat operonin në komplekse banimi të lagjes Bronx, të ndërtuara nga shteti për të strehuar persona dhe familje me të ardhura të ulëta.

Mbi 700 policë të Nju Jorkut dhe agjentë federalë ishin dje në zonë për të kryer bastisjet dhe arrestimet gjatë orëve të para të ditës. Pjesëtarët e të dyja bandave, me një moshë mesatare rreth 24 vjeç, operonin në kënde lojërash, magazina dhe apartamente të braktisura ku kishin depozituar armë dhe drogë. Ata gjithashtu akuzohen se kishin hedhur në qarkullim kartmonedha të falsifikuara për të shtuar të ardhurat e tyre. Pritet që në ditët e ardhshme, me zgjerimin e procesit hetimor, të ngrihen edhe akuza të tjera.

XS
SM
MD
LG