Lidhje

Oscar Pistorius nën arrest për vrasje


Atleti akuzohet se ka vrarë të dashurën, modelen Reeva Steenkamp

Atleti i mirënjohur paraolimpik Oscar Pistorius është akuzuar për vrasje dhe është tani në duart e policisë së Pretorias, pasi e dashura e tij, modelja 30-vjeçare Reeva Steenkamp u gjend e vdekur në shtëpinë e tij. Është një zhvillim tronditës për botën e sportit por në veçanti për Afrikën e Jugut që e ka trajtuar atletin Pistorius si simbol kombëtar.

26-vjeçari Oscar Pistorius do të paraqitet në gjykatë të premten, pasi u akuzua për vrasje lidhur me vdekjen e të dashurës së tij nga plagët e shkaktuara me armë zjarri. Sipas autoriteteve, në banesën e Pistorius-it ka pasur edhe më parë incidente të dhunës në familje:

“Mund të konfirmojmë se sot në mëngjes pati të shtëna me armë në banesën e atletit të njohur Oscar Pistorius. Në këtë moment mund të konfirmojmë se një grua 30-vjeçare vdiq nga plagë të shkaktuara nga armë zjarri. Një 26-vjeçar është arrestuar dhe akuzuar për vrasje”.

Policia jug-afrikane nuk identifikon të dyshuarit për krime deri pas paraqitjes së tyre në gjykatë, por zëdhënësja e policisë tha se Pistorius ishte në shtëpi në momentin e incidentit dhe se nuk kishte të dyshuar të tjerë.

Autoritetet nuk e kanë identifikuar zyrtarisht viktimën, pasi pritet që familja e saj të bëjë identifikimin e trupit. Por agjenti i modeles Reeva Steenkamp ka konfirmuar vrasjen e 30-vjeçares.

Policia u thirr në skenën e ngjarjes në tre të mëngjesit dhe gjeti në banesë një pistoletë 9-milimetërshe.

Më parë qarkulluan zëra se gjuatja me armë zjarri mund të ishte bërë gabimisht, duke paramenduar se në shtëpi kishte hyrë një plaçkitës. Por policia tha se këto zëra nuk kishin dalë nga burime zyrtare.

Atleti Pistorius dhe modelja shoqëroheshin prej disa muajsh. Oscar Pistorius është simbol ndërkombëtar për triumfin e njeriut mbi kufizimet fizike. Megjithëse me dy këmbë të prera që pa mbushur një vjeç, ai ka lobuar prej vitesh që t’i jepej mundësia të konkuronte në aktivitete sportive përballë atletëve të tjerë pa kufizime fizike. Ai vrapon me dy këmbë artificiale të prodhuara enkas për të me fibra karboni.

Kritikët e penguan për shumë kohë pjesëmarrjen e tij, me arsyetimin se këmbët artificiale i jepnin atij një avantazh të pamerituar. Por në vitin 2008, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar i hapi rrugën konkurimit të tij në aktivitete sportive. Oscar Pistorius ishte një ndër atletët që tërhoqën vëmendjen më të madhe si në Lojërat Olimpike, ashtu edhe Paraolimpike të 2012 në Londër.

XS
SM
MD
LG