Lidhje

Ceremonia e Çmimeve Oscar


Filmi Birdman ishte i zgjedhuri i ceremonisë së Çmimeve Oscar të zhvilluar mbrëmë në Hollivud, pasi siguroi statujën e artë në katër kategori. Por ceremonia e së dielës nderoi edhe filma me tema sociale dhe drama shëndetësore.

Ceremonia u mbyll me shpalljen e filmit më të mirë të vitit. Oscarin e fitoi filmi Birdman që rrëfen dramën e brendshme të një aktori dikur të suksesshëm në përpjekje për të rigjallëruar karrierën me interpretime skenike.

Filmi fitoi mbrëmë edhe tre çmime Oscar të tjerë për skenarin më të mirë origjinal, kinamatografinë më të mirë për stilin unik, ku imazhet shpalosen sikur të jenë pjesë e një xhirimi të pandërprerë, si dhe regjisurën më të mirë. Kineasti meksikan Alejandro Gonzalez Inarritu shprehu mirënjohjen për këtë çmim:

“Arti i vërtetë, shprehja e vërtetë e individualitetit, ashtu si vepra e të gjithë këtyre kineastëve të jashtëzakonshëm, nuk mund të krahasohet, nuk mund të përkufizohet, pasi puna e tyre do të gjykohet nga vetë koha”.

Një nga momentet më emocionuese të mbrëmjes ishte interpretimi i John Legend dhe Common i këngës “Glory” nga kolona zanore e filmit Selma, e cila mori mbrëmë Çmimin Oscar në kategorinë e këngës më të mirë.

Eddie Redmayne fitoi si aktori më i mirë për interpretimin në filmin The Theory of Everything, ku ai portretizon shkencëtarin Stephen Hawking gjatë dramës personale të një jete me pasojat e sëmundjes degjenerative Skleroza Amiotrofike. Në fjalën e tij, aktori ia dedikoi çmimin shkencëtarit dhe familjes së tij.

Si aktorja më e mirë e vitit u zgjodh Julianne Moore, e cila interpreton në rolin e një gruaje që preket nga Alcajmeri në filmin Still Alice:

“Shumë nga ata që vuajnë nga kjo sëmundje ndjehen të margjinalizuar dhe të izoluar dhe një nga aspektet pozitive të këtij filmi është se të bën të ndjehesh i pranishëm, jo më vetëm”.

Filmi "Boyhood" ishte një ndër favoritët e kritikës, por jo të jurisë që zgjodhi fituesit e mbrëmshëm. Nga ansambli realizues i filmit u zgjodh vetëm aktorja Patricia Arquette si fituese në kategorinë e aktores më të mirë në rol dytësor. Në fjalën e saj kur mori statujën e artë, ai foli edhe për të drejtat e grave:

“Ka ardhur koha të kemi barazi në paga një herë e mirë, si dhe të drejta të barabarta për gratë amerikane”.

J.K. Simpson u zgjodh si aktori më i mirë në rol dytësor për interpretimin e drejtorit muzikor të një bande shkollore në filmin "Whiplash".

Në kategorinë e filmit më të mirë në gjuhë të huaj u zgjodh Ida, një dramë që ka një qendër një vajzë që përgatitet për t’u bërë murgeshë. Regjisori polak Pawel Pawlikowski e pranoi Oscarin në emër të ekipit realizues:

“Realizuam një film në bardh e zi, për nevojën për heshtje, për tërheqjen nga bota, për reflektimin e brendshëm dhe ja ku na solli: në epiqendër të zhurmës dhe vëmendjes së botës. Jeta është plot të papritura”, - tha ai.

XS
SM
MD
LG