Lidhje

Mjekimi i dhëmbëve pa dhimbje


Shumë njerëz kanë frikë të shkojnë tek dentisti, për shkak të dhimbjes nga gërryerja e dhëmbëve. Por duket se frikës po i vjen fundi! Një teknologji e re e zbuluar nga një firmë në Britani, premton të eliminojë nevojën për pastrim mekanik të dhëmbëve të prishur, duke përshpejtuar një proces natyral rregullimi.

Për më tepër se 100 vjet, dentistët i kanë riparuar kavitetet duke hequr pjesën e prishur të dhëmbit me një trapano dhe duke e mbushur pastaj vrimën e krijuar me metal, ose material plastik.

Në varësi të thellësisë së prishjes, kjo metodë mund të jetë e pakëndshme e madje e dhimbshme për pacientin dhe ajo duhet përsëritur vazhdimisht.

“Fillon një cikël të vazhdueshëm riparimi dhe zëvendësimi për dhëmbin e prishur".

Smalti i dëmtuar mund të zëvendësohet në mënyrë natyrale, por procesi është shumë i ngadaltë për të ndalur dëmtimin e nisur nga bakteriet, që qëndrojnë në plasaritjet e vogla të dhëmbit.

Një kompani britanike, e quajtur Reminova, ka zbuluar një metodë për shpejtimin e ri-mineralizimit natyral të kaviteteve në fazë të parë.

“Ne kemi gjetur një mënyrë për përshpejtimin e këtij procesi: duke futur kalçium të pastër dhe fosfate tek smalti, që përmes një procesi natural do të zerë vend tek dhëmbi."

Pas pastrimit të një prishjeje në fazë të hershme përmes një metode që nuk kërkon gërryerje, dentisti e mbulon atë me një solucion minerali dhe aplikon një korent elektrik, tepër të dobët, që pacienti nuk e ndjen.

Minerali i depozituar forcohet shpejt, duke mbushur kavitetin e krijuar. Studjuesit thonë se kjo metodë mund të jetë veçanërisht e mirë për fëmijët.

“Nëse fëmijët kanë një eksperiencë më të mirë kur shkojnë te dentisti, pa gërryeje dhe gjilpëra për një mbushje rutinë, ata nuk do të kenë më frikë të kontrollohen rregullisht."

Dentistët theksojnë se metoda e re është shumë e efektshme në kavitetet e fazës së hershme, gjë që i bën të nevojshme kontrollet e rregullta tek dentisti. I gjithë trajtimi zgjat thuajse aq gjatë, sa një procedurë e rregulltë gërryerje dhe mbushjeje e dhëmbit.

Studjuesit thonë se kanë besim se kjo metodë e re mund të zhvillohet më tej për trajtimin e kaviteteve në fazë të avancuar. Ata na kujtojnë se larja e rregulltë e dhëmbëve me pastë me përmbajtje flori, ndihmon para së gjithash, në parandalimin e prishjes së dhëmbëve.

XS
SM
MD
LG