Lidhje

Shpërthim në Pakistan - 15 të vdekur


Një bombë shpërtheu të mërkurën në një autobus në veriperëndim të Pakistanit, duke vrarë të paktën 15 njerëz dhe duke plagosur të paktën 30 të tjerë.

Viktimat ishin kryesisht punonjës qeveritar, thanë zyrtarët krahinor të Peshawarit ku ndodhi shpërthimi.

Sipas hetimeve fillestare të policisë, lënda shpërthyese ishe vendosur nën një ulëse në autobus dhe duket të ketë qenë e drejtuar më telekomandë.

Pamjet televizive tregojnë një autobus tërësisht të shkatërruar.

Askush nuk e ka marrë mbi vete përgjegjësinë për shpërthimin vdekjeprurës, por autoritetet dyshojnë se talibanët qëndrojnë parapa tij.

Grupi kryengritës mori përgjegjësinë për sulmin vetëvrasës në ndërtesën e gjykatës në qytetin Shabqadar, afër Peshawarit. Sulmi la pas vetes 17 të vrarë dhe 36 të plagosur.

Talibanët në Pakistan janë duke udhëhequr një kryengritje kundër shtetit për më shumë se një dekadë, duke vrarë dhjetëra mijëra pakistanezë.

Shpërthimi i autobusit ndodhi një ditë pasi që shefi i armatës pakistaneze gjenerali Raheel Sharif, vërtetoi dënimet me vdekje të 13 njerëzve të lidhur me grupin militant të cilët ishin dënuar nga gjykatat ushtarake për rolin e tyre në aktet e fundit të terrorizmit në të gjithë vendin.

XS
SM
MD
LG