Lidhje

Papa Françesku dhe aborti


Papa Françesku deklaroi sot se po u lejon priftërinjve që gjatë të quajturit Viti i Mëshirës të falin gratë që kanë kryer “mëkatin e abortit”, në rast se pendohen me një “zemër keqardhjeje”. Ai gjithashtu tha se është i vetëdijshëm se shumë prej tyre nuk kanë patur zgjidhje tjetër përveç abortit.

Në vazhdim të tematikës qendrore të papatit të tij – mëshirës, Papa Françesku shkruajti në një letër të publikuar prej Vatikanit, se ka takuar shumë gra të cilat “vuajnë plagën” e vendimit për të abortuar. Ai thotë se falja e Perëndisë nuk mund t’u mohohet atyre që pendohen, dhe për këtë arsye po u jep të gjithë priftërinjve fuqinë për të falur këtë mëkat gjatë Vitit të Shenjtë të Mëshirës, që do të fillojë më 8 dhjetor 2015 dhe zgjat deri në 20 nëntor 2016.

Kisha e shikon abortin si një nga mëkatet më të rënda, dhe deri më tani ndalohej që prifti të falte një grua katolike që dëshironte të pendohej. Në raste të tilla duhej autorizim nga peshkopi i dioqezës, i cili caktonte një prift të posaçëm për këtë rrëfim.

Në thelb, Papa Françesku po u jep grave mundësinë të anashkalojnë këtë proçes formal gjatë Vitit të Mëshirës.

Në Shtetet e Bashkuara, ku Papa pritet të bëjë një vizitë këtë muaj, shumë peshkopë lejojnë priftërinjtë të falin gratë që kanë abortuar, ndërsa në disa të tjera vazhdon të jetë një vendim i rezervuar për vetë peshkopët.

Në shumë raste, një grua katolike që aborton pa patur shkaqe fiziologjike, shkishërohet automatikisht. Për t’u ripranuar në radhët e kishës, asaj i duhet të kryejë gjeste pendimi, si p.sh. të marrë pjesë në pelegrinazh.

Gjatë Vitit të Mëshirës, pritet që rreth 30 milionë besimtarë të shkojnë në Romë.

XS
SM
MD
LG