Lidhje

Shpresa të reja pas zgjedhjes së Papa Françeskut


Ati i ri i shenjtë është Papa i parë jo-evropian që nga mesjeta

Zgjedhja e një prifti jezuit nga Argjentina si kreu i Kishës Katolike është në vetvete një risi. Ka shpresa të mëdha që Papa Françesku të sjellë një frymë të re dhe të rigjallërojë katolicizmin e tronditur nga një numër skandalesh. Por megjithë shpresat, analistët e katolicizmit parashikojnë se papa do të vazhdojë të ndjekë konservatorizmin teologjik të pararendësve të tij.

Papa Françesku e hapi mëngjesin e parë si Ati i Shenjtë me një lutje në bazilikën kryesorë të Shën Marisë në Romë. Ai iu drejtua mbi 100 mijë besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit me fjalët se do t’i lutet nënës së Krishtit të ruajë Romën dhe banorët e saj.

Kreu i ri i Kishës Katolike ka zgjuar shpresa të mëdha për të ardhmen për një epokë të re. Parashikohet që Papati i tij t’i kushtojë vëmendje fatit dhe vuajtjeve të të varfërve në botë.

“Ai është një njeri që ka ndjekur një jetesë shumë të thjeshtë. Ai e merr shumë seriozisht përkushtimin ndaj varfërisë. Nuk pat pranuar të jetonte në pallatin e Peshkopit, por jetonte në një apartament shumë të thjeshtë, gatuante vetë dhe nuk donte limuzinë me shofer, siç kishte normalisht Peshkopi. Ai vinte në punë me autobus. Ai është një Papë shumë i ndryshëm dhe sjell me vete të njëjtin përkushtim ndaj të varfërve. Ka të ngjarë t’i habisë të gjithë, pasi mund të mos dojë të vishet me mëndafsh e gëzof”.

Në kryeqytetin amerikan, Uashington, besimtarët ofrojnë një lutje për Papën në Katedralen e Shën Mateut.

“Është një moment i lavdishëm, i mrekullueshëm. Është zgjedhur Papa i parë nga kontinenti amerikan. Papa i parë nga hemisfera jugore”.

Në Uashington, Kishat katolike janë veshur me ngjyrat e Vatikanit. I Përndershmi Mark Morozowich thotë se emri i ri i Papës ka peshë simbolike.

“Ai zgjodhi emrin e Françeskut. Siç e dimë, Françesku ishte njeri shumë i përkushtuar ndaj lutjeve dhe të varfërve. Po ashtu dimë se Françesku u përpoq të reformonte kishën”.

Papa Françesku u shpreh në fjalimin e parë si Ati i Shenjtë, se kjo ishte zgjedhja nga “fundi e tokës”.

Por zgjedhja e tij nuk është aq radikale sa ç’mund të duket, thotë Chester Gillis, dekan në Universitetin Georgetown, një institucion jezuit.

“Aq sa ç’e njeh Amerikën Latine dhe Buenos Airesin, ai njeh edhe Romën. E flet rrjedhshëm italishten. Ai i njeh aktorët në Vatikan, nuk është faktor i panjohur, siç mund të mendojnë disa njerëz”.

Ai parashikon se Papa Françesku do të vazhdojë në rrugën e pararendësve të tij.

“Si teolog konservator, dhe si konservator në doktrinë. Nuk diskutohet. Nuk parashikoj ndryshime në këtë drejtim”.

Por zgjedhja e tij sinjalizon se Kisha Katolike, tradicionalisht evropiane, po pranon faktin se e ardhmja e saj është atje ku jeton shumica e 1.2 miliardë besimtarëve të saj – në hemisferën jugore.

XS
SM
MD
LG