Lidhje

Udhëheqësit botërorë urojnë papën për zgjedhjen


Presidenti Obama tha se kjo zgjedhje flet për forcën dhe vitalitetin e rajonit që gjithnjë e më shumë po ndikon nëpër botë

Udhëheqësit nga e gjithë bota po i dërgojnë urime udhëheqësit të sapo zgjedhur të Kishës Katolike Romane, Papa Françeskut, i cili është i pari klerik nga Amerika Latine që bëhet peshkop i Romës.

Kardinali Horhe Marjo Bergolio nga Argjentina është edhe jezuiti i parë që bëhet papë dhe merr emrin Françesk, sipas Shën Françeskut të Asisit, mbrojtësit të të varfërve.

Në fjalimin e tij të parë publik, Papa 76 vjeçar vuri në dukje se kolegët e tij kardinalë e tejkaluan praktikën e zakonëshme për të zgjedhur udhëheqësin e ri.

Presidenti Barak Obama e vlerësoi zgjedhjen e papës së ri nga Amerikat, duke thënë se kjo zgjedhje flet për forcën dhe vitalitetin e rajonit, për të cilin ai tha se gjithnjë e më shumë po ndikon nëpër botë. Presidenti Obama ishte mes udhëheqësve të parë që e uruan papën e ri, të cilin ai e quajti kampion të të varfërve dhe të pambrojturve.

Zv/presidenti Xho Baiden, i cili është katolik, do të kryesojë delegacionin e Shteteve të Bashkuara që do të marri pjesë në meshën e inaugurimit të papës në Vatikan, të martën e ardhëshme.

Sekretari amerikan i Shtetit Xhon Kerri lëshoi një deklaratë dje, në të cilën tha se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të punojnë me Selinë e Shenjtë për të avancuar besimin e përbashkën për paqen dhe njerëzimin.

Argjentinasit ishin tejet të entuziasmuar me zgjedhjet e papës së parë nga vendi i tyre, po ashtu edhe hispanikët nga pjesa tjetër e Amerikës Latine dhe gjetkë.

Papa Françesku, ashtu si dhe shenjti me të njejtin emër, njihen për modestinë dhe angazhimin e tyre për çështjet sociale.

Papa është kritikuar gjithashtu për kundërshtimin e tij të fuqishëm ndaj martesës së homoseksualëve dhe abortit, si dhe për heshtjen ndaj mizorive të kryera në Argjentinë nga regjimi ushtarak në periudhën 1976-1983.
XS
SM
MD
LG