Lidhje

Pas referendumit në lindje, vëmendja tek zgjedhjet në Ukrainë


Ndërsa disa ukrainas në lindje të vendit, votuan në favor të pavarësisë nga Kievi, pjesa më e madhe e Uashingtonit është përqendruar në zgjedhjet e 25 majit. Në Kongresin amerikan është rritur mbështetja nga të dyja palët për sanksione më të ashpra kundër Moskës, me shpresën për të ruajtur demokracinë në Ukrainë.

Referendumet u mbajtën dje në lindje të Ukrainës, megjithë deklaratat e shumta që i dënojnë votat si të paligjshme.

Tensionet i shton fakti që Presidenti Vladimir Putin, nuk duket se po e respekton premtimin për të tërhequr trupat nga kufiri ukrainas, sipas Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Chuck Hagel.

“Ata nuk duket se po largohen. Duhet të pyesni Presidentin Putin se pse po thotë se po largohen, kur në fakt janë ende atje”.

Sanksionet e imponuara nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s nuk duket ta kenë ndryshuar qëndrimin agresiv të Moskës ndaj Ukrainës.

“Rusia vazhdon ta izolojë vetveten për një përfitim afatshkurtër. Rusëve mund t’u duket se po fitojnë. Por në botë nuk ka vetëm synime afatshkurtra”.

“Është i njëjti skenar që pamë në Krime. Është një ndërhyrje e llojit të kryengritjes, i ndërmarrë nga Rusia për të krijuar trazira”, thotë senatorja republikane Kelly Ayotte.


Ajo do që Shtetet e Bashkuara të vënë në shënjestër sektorë të tërë të ekonomisë ruse, para zgjedhjeve kombëtare ukrainase të 25 majit.

“Administrata duhet t’i vendosë sanksionet para zgjedhjeve të 25 majit, në mënyrë që ato votime të mos sabotohen, por të zhvillohen sipas planit. Besoj se do të ishte shumë vonë të vendoseshin sanksione pasi të jetë ndërhyrë në zgjedhje”.

Senatori tjetër republikan, Lindsey Graham do të Presidenti Barack Obama të kërkojë miratim zyrtar nga Kongresi për masa të tjera ndëshkuese kundër Rusisë.

“Në vend që ta bësh një gjë të tillë përmes një urdhri ekzekutiv, zoti President, ju duhet të vini në Kongres për të siguruar sanksione për sektorë të ndryshëm, që do t’i dërgonin një mesazh më të fortë Putinit, do ta dëmtonin më shumë ekonominë ruse dhe mendoj se do t’ia forconin pozitat aleatëve tanë”.

"Mendoj se duhet t’i nxisim evropianët për sanksione për sektorë të ndryshëm”, thotë senatori demokrat, Chris Murphy i cili është dakord se Rusia duhet të paguajë një kosto më të lartë, por thotë se Shtetet e Bashkuara nuk e bëjnë dot vetëm një gjë të tillë.


“Fakti është se sanksione të njëanshme nga Shtetet e Bashkuara mund të dëmtonin interesat tona të sigurisë, në vend që t’i ndihmonin ato. Vetëm sanksionet nuk janë të mjaftueshme që të ndryshojnë situatën në terren në Moskë. Dhe në fund të fundit ato mund ta nxisin Putinin në Rusi që të vazhdojë me provokimet”.

Javën e kaluar, administrata e presidentit Obama rikonfirmoi paralajmërimin për të “imponuar kosto më të lartë ndaj Rusisë”, por nuk tha se kur mund ta bëjë një gjë të tillë.
XS
SM
MD
LG