Lidhje

Çmimi për Charlie Hebdo shkakton polemika


Nderimi i revistës satirike franceze Charlie Hebdo me një çmim për kurajo nga organizata letrare PEN, ka krijuar përçarje në elitën zakonisht në harmoni dhe liberale amerikane. Disa nga shkrimtarët më të njohur në vend po shkëmbejnë akuza për frikë dhe verbëri ndaj racizmit.

Kryeredaktori i revistës Gerard Biard dhe kritiku i filmit Jean-Baptiste Thoret ishin në Nju Jork dje për të marrë një çmim për lirinë e shprehjes nga dega amerikane e organizatës PEN në darkën e përvitshme për mbledhje fondesh. Zyrat e Parisit të revistës u sulmuan në janar nga dy ekstremistë islamikë të indinjuar nga kopertinat e saj me karikatura të Profetit Muhamed. 12 persona u vranë dhe 11 të tjerë u plagosën.

“Unë dhe Jean-Baptiste jemi shumë krenarë që ndodhemi këtu për të marrë këtë çmim prestigjioz megjithëse ka disa që janë indinjuar nga nderimi ynë me këtë çmim”.

Mbi 200 anëtarë të organizatës PEN dërguan një letër proteste kundër vendimit për të nderuar revistën Charlie Hebdo, duke thënë se disa nga karikaturat ishin ofenduese ose edhe raciste. Por të tjerë e mbrojtën vendimin, përfshirë romancierin Salman Rushdie, që jetoi i fshehur për vite me radhë për shkak të kërcënimeve me vdekje për romanin “Vargjet satanike”.

“Nëse je një organizatë për lirinë e shprehjes, nëse nese beson në vlerën e lirisë së shprehjes, atëherë duhet të besosh edhe në vlerën e lirisë së mendimeve që nuk të pëlqejnë. Nëse mbron vetëm lirinë e shprehjes që përputhet me kontekstin tënd moral, kjo do të quhej censurë”.

Të ftuarit e djeshëm kaluan përmes detektorëve metalikë, meqenëse ishin të pranishëm zyrtarët e Charlie Hebdo-së dhe duke pasur parasysh ngjarjet në Teksas, në aktivitetin anti-islam.

XS
SM
MD
LG