Lidhje

Francë, përgatitje për konferencën e klimës


Krerët e shteteve dhe delegatë nga 196 vende po mblidhen në Paris për konferencën mbi klimën, e cila i fillon punimet nesër. Ata janë duke u përpjekur të arrijnë një marrëveshje detyruese për pakësimin e çlirimit të dioksidit të karbonit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, ka një optimizëm të matur se mund të arrihet një marrëveshje për këtë çështje.

E njohur si "çatia e botës", rrafshnalta tibetiane që ndodhet 4700 metra mbi nivelin e detit është e mbushur me akullnaja, që janë burimi kryesor i furnizimit me ujë për shumë lumenj të rëndësishëm të Azisë.

Por, akulli po shkrihet. Shkencëtarët thonë se nëse kjo vazhdon në nivelet aktuale, dy të tretat e akullnajave të rrafshnaltës mund të zhduken deri në vitin 2050, duke ndikuar rreth dy miliardë njerëz në Kinë, Indi, Pakistan, Bangladesh dhe Butan.

"Shkrirja e akullnajave në rrafshnaltën tibetiane duhet të jetë një kambanë alarmi për udhëheqësit globalë," thotë Li Yan, nga organizata Greenpeace.

Delegatët në takimin e Parisit do të përpiqen të arrijnë një marrëveshje të re të detyrueshme për të kufizuar çlirimin e dioksidit të karbonit, për të cilin shkencëtarët thonë se po shkakton rritjen e temperaturave.

Ata synojnë të kufizojnë ngrohjen globale për jo më shumë se 2 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale, deri në fund të këtij shekulli.

"Pa këtë objektiv, ne do të fillojmë të ndjejmë ndikime të mëdha të ndryshimeve klimatike, si motin ekstrem, thatësira, përmbytje, dhe probleme të tjera," thotë Smita Nakhooda, nga Overseas Development Institute.

Shkencëtarët thonë se ka të ngjarë që ne tashmë kemi filluar të ndjejmë disa nga ndikimet e ndryshimeve klimatike. 2015 ka qenë viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë.

Ka të dhëna se temperaturat e larta po bëjnë që stuhitë të jenë më të forta.

Debati kryesor mbi pakësimin e çlirimit të dioksidit të karbonit po zhvillohet rreth çështjes se kush duhet të paguajë për vendet në zhvillim, në mënyrë që ato t’i përshtatin industritë e tyre me politikat e reja klimatike. Në takimin e mëparshëm, vendet e zhvilluara ranë dakord që të sigurojnë 100 miliardë dollarë nga sektori publik dhe privat deri në vitin 2020 për të ndihmuar vendet në zhvillim të përshtaten me ndryshimin e klimës dhe të zhvillojnë teknologji të pastra.

"Disa vende kanë ofruar të dyfishojnë kontributet e tyre financiare dhe kjo është inkurajuese. Kostoja e energjisë së pastër ka rënë në vitet e fundit dhe në disa vende në zhvillim ajo ka rënë me shpejtësi më të madhe," thotë Smita Nakhooda.

Por, do të ketë nevojë për më tepër kompromis. Organizatori i konferencës, Presidenti francez Francois Hollande bëri thirrje për tejkalimin e kësaj sfide.

"Ne duam një marrëveshje ambicioze dhe detyruese".

Disa aktivitete të konferencës mbi klimën janë anuluar pas sulmeve terroriste në Paris, dy javë më parë.

XS
SM
MD
LG