Lidhje

70 vjetori i Kombeve të Bashkuara


Themeluesit e OKB-së u përpoqën 70 vjet më parë të shmangin një luftë tjetër botërore. Ata ia kanë dalë me sukses, por në botë nuk kanë munguar krizat dhe konfliktet që kanë sfiduar organizatën. Ndërkohë që fillon një dekadë e re për OKB-në, materiali në vazhdim shpjegon rritjen e organizatës dhe se çfarë ajo duhet të bëjë për të ruajtur rolin e saj në zhvillimet botërore.

Kombet e Bashkuara u krijuan menjëherë pas shkatërrimeve të shkaktuara nga Lufta e Dytë Botërore dhe pas dështimeve të organizatës paraardhëse, Lidhjes së Kombeve.

Në një konferencë në San Françisko në vitin 1945, u hartua karta e organizatës, që synonte të krijonte një botë më paqësore dhe të nxiste të drejtat e njeriut.

Presidenti amerikan Harry Truman u tha delegatëve se kishte shumë që dyshonin nëse do t’ia dilnin me sukses, për shkak të pikëpamjeve të ndryshme.

“Por, këto diferenca u harruan përballë një vendosmërie të patundur për t’i dhënë fund luftës,” u shpreh atëherë Presidenti Truman.

Në tetorin e atij viti, u krijua zyrtarisht OKB-ja pas ratifikimit të kartës themeltare nga 29 prej 50 vendeve anëtare. Sot, organizata ka 193 vende anëtare.

Michael Doyle, ish-këshilltar i Sekretarit të Përgjithshëm, Kofi Annan, thotë se fillimet e organizatës nuk ishin të qëndrueshme.

“Gjatë Luftës së Ftohtë, çarja ndërmjet Bashkimit Sovjetik dhe SHBA-së krijoi një institucion me probleme të brendshme. Funksiononte vetëm për operacione paqeruajtëse dhe vetëm në ato konflikte ku Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik donin ta ulnin rivalitetin ndërmjet tyre.”

Roli paqeruajtës i OKB-së lindi gjatë kësaj periudhe. “Helmetat blu” që luajtën rol në krizën e Suezit në vitin 1956 ishin vetëm 2 mijë, ndërsa tashmë janë rreth 100 mijë ushtarë dhe policë paqeruajtës që shërbejnë për të mbrojtur civilët dhe punonjësit e ndihmave në disa nga pikat më të rrezikshme të globit.

OKB-ja jep gjithashtu ndihmë humanitare për viktimat e luftërave dhe katastrofave, si dhe përpiqet të parandalojë dhe të zgjidhë konfliktet. Kohët e fundit, organizata po përqëndrohet tek ndryshimet klimatike dhe zhdukja e varfërisë ekstreme.

“Bota po ndryshon dhe OKB-ja duhet t’i përshtatet ndryshimit. Nuk mund të qëndrojmë në vend,” shprehet ish-Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan.

Që nga viti 1945, OKB-ja është udhëhequr nga shtatë burra. Vitin tjetër do të zgjidhet një sekretar i përgjithshëm i ri. Shumë mendojnë se do të jetë një grua.

Ka gjithashtu thirrje për reformim të organizatës, në veçanti në Këshillin e Sigurimit, ku pesë vende kanë fuqinë e vetos.

“Të gjithë bien dakort se Këshilli i Sigurimit që u formatua në vitin 1945, nuk përfaqëson më strukturën e pushtetit në vitin 2015,” thotë Tom Weiss, i City University of New York.

Zoti Doyle thotë se fuqitë e reja kërkojnë një vend në tavolinë, ndërsa vendet e zgjedhura anëtare kërkojnë të respektohen më shumë.

“Është domethënëse mungesa e hapësirave për një rol më të madh për Indinë, Brazilin, Japoninë, Gjermaninë, dhe shumë të tjerë. Ndërsa 10 vendet e zgjedhura në Këshillin e Sigurimit ndjehen shpesh si turistë.”

Që të ruajë peshën e saj, OKB-ja duhet të evoluojë:

“Nëse nuk do të ketë disa ndryshime rrënjësore, ky institucion do të bëhet gjithnjë e më i padobishëm dhe një relike historike,” paralajmëron zoti Weiss.

Megjithatë, shumë vëzhgues mendojnë se nuk mund të imagjinohet bota e sotme pa Kombet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG