Lidhje

Mbështetje globale për fushatën kundër ISIS


Sipas një ankete të re, një numër i madh njerëzish në mbarë botën mbështesin si drejtimin e ri të politikës amerikane të mbrojtjes ndaj Azisë, edhe fushatën ushtarake kundër grupit Shteti Islamik

Sipas një ankete të re, një numër i madh njerëzish në mbarë botën mbështesin si drejtimin e ri të politikës amerikane të mbrojtjes ndaj Azisë, edhe fushatën ushtarake nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara kundër grupit Shteti Islamik. Të dyja këto çështje janë në qendër të politikës së jashtme amerikane.

Sipas anketës së zhvilluar nga Qendra Kërkimore Pew, e cila u bazua në 40 vende të botës, vlerësimi i përgjithshëm për Shtetet e Bashkuara është kryesisht pozitiv, me një mbështetje mesatare në shkallë botërore prej 69 për qind.

Këto shifra mund të interpretohen si një sukses nga administrata Obama, e cila erdhi në pushtet në vitin 2008, me premtimin për të përmirësuar imazhin global të Shteteve të Bashkuara, pjesërisht për faktin që i dha fund ndërhyrjeve ushtarke në Afganistan dhe në Irak.

Por për shkak të përparimit të shpejtë të ekstremistëve islamikë në Irak dhe në Siri, Shtëpia e Bardhë është përfshirë përsëri në rajon, ku Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një fushatë sulmesh ajrore dhe po përpiqen të stërvisin forcat që i shohin si aleate.

Reagimi botëror për fushatën ajrore duket kryesisht pozitiv. Sipas anketës së organizatës Pew, mesatarisht 62 për qind e njerëzve në shkallë botërore mbështesin veprimet ushtarake të Shteteve të Bashkuara kundër Shtetit Islamik, ndërsa vetëm 24 për qind e njerëzve i kundërshtojnë ato.

Po sipas anketës, vendimi i Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë një përparësi ushtarake më të madhe rajonit të Paqësorit, ku shumë vende thonë se përballen me fuqizimin në rritje ushtarak dhe ekonomik të Kinës, mbështetet nga shumica e njerëzve.

51 për qind e të anketuarve në shkallë globale e mbështesin shtimin e burimeve ushtarake për Azinë dhe vetëm 34 për qind janë kundër. Mbështetja për këtë kthim të vëmendjes amerikane ndaj Azisë, sipas anketës, ishte më e madhe në Filipine, Vietnam dhe Japoni, vende të cilat kanë mosmarrëveshje territoriale me Kinën.

XS
SM
MD
LG