Lidhje

Arti i fotografisë ndihmon të rinjtë


Shtatorin e kaluar, 20 të rinj nga Sudani Jugor morën pjesë në një kurs fotografie të organizuar nga National Geographic. Ata janë ndër qindra studentë nga e gjithë bota që kanë mësuar si të përdorin kamerën për të treguar historinë e njerëzve në komunitetet e tyre.

Imazhet kanë fiksuar momente të caktuara të jetës familjare, miqësisë, punës, komunitetit, dashurisë dhe mbijetesës.

Ato janë marrë nga fotografë të rinj që morën pjesë në një kurs të veçantë fotografie të krijuar prej National Geographic në komunitete në mbarë botën.

Catherine Simon Arona është ndër 20 të rinj nga Sudani Jugor, vendi më i ri në botë, që morën pjesë në një klasë të tillë gjatë vjeshtës.

“Pjesëmarrja në këtë kurs pati rëndësi të madhe për mua pasi më dha një botëkuptim ndryshe të fotografisë. Lajmet japin vetëm një pjesëz të vogël të asaj që përfaqëson Sudani Jugor. Përshkrimi i jetës njerëzore në Sudanin Jugor është çfarë unë dëshiroj, dhe nëpërmjet kamerës është e lehtë ta arrij këtë gjë.”

Profesionistë me eksperiencë të National Geographic ndihmojnë nga afër studentët, duke iu dhënë trajnimin bazë për fotografinë dhe orientim praktik, si në klasë ashtu edhe jashtë saj.

Catherine u caktua të fotografojë fëmijë në një jetimore, ku ajo fotografoi një vogëlush të trishtuar.

“Më pëlqen kaq shumë kjo foto pasi ka kapur një moment emocional të një fëmije. Ajo çka fëmijët ndjejnë përbrenda e transmetojnë në fytyrë. Më pëlqen shumë t’i fiksoj këto momente.”

Catherine dhe dy studentë të tjerë nga Sudani Jugor ishin rishtazi në Uashington për të marrë pjesë në një diskutim, dhe për të mësuar më shumë rreth National Geographic.

Duku Stephen Savio foli rreth angazhimit të tij për të fotografuar sportistë të kickboxing që përgatiteshin për konkurim.

Atij i kujtohet se njëri prej boksierëve kishte veshur pantallona të shkurtra me flamurin e Sudanit Jugor në një anë dhe atë amerikan në anën tjetër:

“Mendoj se duhet të rrëfej historinë e kësaj fotoje pasi ishin Shtetet e Bashkuara që mbështetën pavarësinë tonë nga qeveria sudaneze. Është shumë e rëndësishme për mua.”

Duku thotë se fotografimi i këtyre sportistëve ishte edhe një mënyrë për të treguar se të rinjtë vendas kanë alternativa të tjera përkundër dhunës:

“Shumë prej fëmijëve tanë marrin pjesë në konkflikt. Janë radhitur në formacione ushtarake, po luftojnë vëllezërit e tyre, kështu që është e rëndësishme t’i bashkosh në paqe dhe harmoni.”

Akuot Chol Mayak mirëpriti detyrën që iu caktua për të fotografuar një kamp refugjatësh, pasi ai e përjeton këtë temë:

“Unë jam rritur në një kamp refugjatësh në Kenian veriore, dhe kur shkova atje sërish më riktheu kujtimet e asaj që unë kam qenë; shpirti im ju bashkua atyre.”

Kirsten Elstner është drejtoreshë e programit që në vitin 2003:

“Misioni ynë është t’u japim të rinjve një zë që të tregojnë historitë e tyre nëpërmjet fotografisë. Ata na tregojnë se çfarë ndodh realisht, pasi ata kanë jetuar vetë në ato rrethana dhe këto janë komunitetet e tyre, lagjet e tyre, dhe jetët e tyre. Ky është i gjithë qëllimi i programit.”

National Geographic synon të organizojë më shumë kurse të tilla fotografie në mbarë Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera gjatë viteve në vazhdim.

XS
SM
MD
LG