Lidhje

Përgatitjet për Olimpiket e Rios


Pistat dhe stadiumet për garat olimpike verore në Rio de Zhaneiro janë përfunduar në masën 98% pas inaugurimit të premten të Stadiumit të Garave Ujore.

Stadiumi i ri, i ndërtuar në Parkun Olimpik Barra do të jetë skenë e garave të notit, si dhe konkurrimeve të notit të sinkronizuar për Olimpiket që fillojnë më 5 gusht. Po në këtë objekt do të zhvillohen edhe garat e notit të Lojërave Olimpike Speciale në shtator.

Presidentja Dilma Rousseff ishte e pranishme në ceremoninë e inaugurimit. Drejtori i Kompanisë Olimpike që është përgjegjëse për përgatitjen e terrenit për Lojërat Verore, tha se deri tani Parku Olimpik ka organizuar 20 gara të ndryshme. Atletët kanë shprehur përshtypje pozitive për pistat. Ka mbetur vetëm velodromi për garat e shpejtësisë me biçikleta, shpjegon zyrtari.

Parku Olimpik Barra është pulsi i gjithë aktivitetit olimpik këtë vit, pasi aty do të zhvillohen 16 kategori të Olimpikeve dhe 9 të Lojërave Speciale.

Pas recesionit ekonomik që goditi Brazilin, buxheti për Olimpiket u shkurtua dhe shumë nga projektet për pistat e garave u modifikuan, duke theksuar vlerën e tyre praktike. Ideja është që pas Olimpikeve stadiumet dhe pistat të modifikohen dhe të përdoren si shkolla, qendra komuniteti, apo objekte për stërvitje fizike.

XS
SM
MD
LG