Lidhje

SHBA: Operacion policor, kërkohet personi i dytë


Sipas njoftimeve, i dyshuari që nuk është kapur është 19 vjeçari Dzhokhar Tsarnaev dhe i dyshuari i vrarë është 26 vjeçari Tamerlan Tsarnaev

Policia në shtetin verilindor Massachusetts njoftoi se një prej të dyshuarve për shpërthimet e maratonës së Bostonit ka vdekur dhe tjetri nuk është kapur ende, ndërsa forcat e sigurimit vazhdojnë një operacion kërkimor në rrethinat e Bostonit.

Autoritetet thonë se i dyshuari "me kapele të bardhë" për shpërthimet e së hënës, i njohur si i dyshuari numër 2 nuk është kapur dhe është "i armatosur dhe i rrezikshëm". Policia ka paralajmëruar banorët e qytezës Watertown, rreth 8 kilometra larg Bostonit, që të qëndrojnë brenda dhe të mos i hapin derën askujt përveç policisë, e cila po bën kërkime derë më derë në kërkim të të dyshuarit.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carolyn Presutti ishte afër vendit të ngjarjes dhe tha se bëhet fjalë për një prani të madhe policore si dhe të FBI-së, ekipeve të çaktivizimit të bombave dhe pranisë së helikopterëve dhe qenve të stërvitur.

Transporti publik lokal është pezulluar. Të gjitha shkollat dhe universitetet janë mbyllur, disa biznese kanë pezulluar punën, ndërkohë që policia po u kërkon banorëve në disa pjesë të Bostonit dhe në rrethinat në perëndim të tij të qëndrojnë sot në shtëpi. Makinat nuk lejohen të hyjnë ose të dalin nga qyteza Watertown. Autobuzët po evakuojnë banorët e zonës.

Zyrtarët thonë se 2 personat e dyshuar për shpërthimet në marathonën e së hënës dyshohen gjithashtu për vrasjen e një polici të kampusit të Institutit të Teknologjisë së Massachusetts, MIT, mbrëmë vonë para se të merrnin një makinë dhe të iknin nga Watertown. Autoritetet thonë se të dyshuarit hodhën lëndë ekplozive nga makina, ndërsa policia i ndiqte.

Agjencia e lajmeve Associated Press thotë se të dyshuarit janë nga një rajon rus pranë Çeçenisë që është përfshirë nga një kryengritje islamike shkaktuar nga luftrat separatiste. Televizioni amerikan NBC njofton se dy të dyshuarit janë vëllezër me origjinë çeçene. New York Times njofton se autoritetet besojnë se të dy të dyshuarit janë çeçenë.

Media amerikane thotë se vëllezërit jetonin ligjërisht në Shtetet e Bashkuara. Sipas njoftimeve, i dyshuari që nuk është kapur ende është 19 vjeçari Dzhokhar Tsarnaev dhe se i dyshuari i vrarë është 26 vjeçari Tamerlan Tsarnaev.

Zyrtarët thanë se i dyshuari numër 1, me kapele të zezë në fotografitë e publikuara nga FBI-ja, u plagos për vdekje në një shkëmbim zjarri me policinë dhe vdiq pasi u dërgua në spital. Autoritetet në spitalin Beth Israel thanë se i dyshuari kishte marrë një numër plagësh, madje kishe shenja plagosjeje nga objekte që mund të ishin pjesë përbërëse e eksplozivit që ai përdori vetë.
XS
SM
MD
LG