Lidhje

Papa Françesku: Të krishterët dhe myslimanët janë vëllezër


Papa Françesku foli në xhaminë kryesore në kryeqytetin e Republikës së Afrikës Qendrore, të drobitur nga konfliktet.

Papa Françesku tha të hënën se të krishterët dhe myslimanët janë vëllezër. Ai i bëri këto komente duke folur në xhaminë kryesore në Bangui, kryeqyteti i Republikës së Afrikës Qendrore.

“Së bashku ne duhet t’i themi jo urrejtjes, hakmarrjes dhe dhunës, posaçërisht asaj dhune që ushtrohet në emër besimit apo në emër të vet Zotit”, tha ai.

Ai theksoi se vizita e tij në vendin që ka parë konflikt politik dhe përleshje ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve, do të ishte jo e plotë pa u takuar me komunitetin mysliman.

Papa Françesku udhëhoqi një meshë në stadiumin në Bangui për të përmbyllur turneun e tij në Afrikë.

Mesazhi i tij në meshën e së dielës ishte i ngjashëm, thirrje palëve që të lënë armët dhe t’u bashkohen përpjekjeve për t’i dhënë fund konfliktit sektar.

“Armatosuni me drejtësi, dashuri dhe mëshirë, garantuese autentike për paqen”, tha ai në Katedralen e Banguit.

Më herët, Papa bëri thirrje për bashkim dhe që njerëzit të mos lejojnë që të ndahen nga dallimet religjioze. Gjatë një fjalimi në pallatin presidencial në Bangui, papa Françesku tha se shpreson që zgjedhjet e ardhshme do t’i mundësojnë vendit që “të hyjë qetësisht në një kapitull të ri të historisë së tij”.

Para vizitës së tij, presidenti Catherine Samba-Panza, tha se qytetarët e shohin Papa Françeskun si të dërguar të paqes dhe shfaqi shpresën se ai do të frymëzojë qytetarët e Afrikës Qendrore që të pranojnë njëri tjetrin.

Republika e Afrikës Qendrore është përballur me dhunë për afro tri vjet, që kur grupi kryengritës mysliman, Seleka, rrëzoi presidentin Francois Bozize në mars të vitit 2013. Vrasjet e kryera nga Seleka, nxitën rritjen e milicive të krishtera të njohura si anti-Balaka.

XS
SM
MD
LG