Lidhje

Papa Françesku do të vizitojë Lesbosin


Papa Françesku do të vizitojë ishullin grek të Lesbosit më 16 prill, ku do të takohet me refugjatët e sistemuar atje. Vatikani njoftoi sot përmes një deklarate se Papa është ftuar nga udhëheqësi i Kishës Ortodoske, Patriarku Ekumenik, Bartholomeu, dhe nga presidenti grek Prokopis Pavlopoulos. Vizita shihet si një gjest simbolik për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare për krizën e refugjatëve, shumica e të cilëve përpiqen t’i shpëtojnë luftës dhe varfërisë në Siri.

Ndërsa Bashkimi Europian përpiqet të përshtasë planin e vet për deportimin e imigrantëve të paligjshëm në këmbim të refugjatëve sirianë, mes imigrantëve që jetojnë nëpër kampe në portin grek të Pireut janë shtuar tensionet. Autoritetet po u bëjnë thirrje imigrantëve të zhvendosen në qendra të tjera.

Në Pire, që është porti më i madh i Greqisë, ka rreth 4 mijë e 700 imigrantë, mes të cilëve dje pati përleshje.

Në një incident të fiksuar me kamera, një grup burrash të rinj zhvilluan një protestë ulur në mes të rrugës, gjë që shkaktoi ndërprerjen e trafikut dhe përleshje me zyrtarët e portit. Policia arrestoi të paktën një person, i cili thuhet se ishte kryetar i grupit. Incidentet me imigrantët ndodhin dy ditë pasi Bashkimi Europian dërgoi një grup me 200 imigrantë të paligjshëm në Turqi, në këmbim të të njëjtit numër refugjatësh sirianë, të cilët ishin strehuar në kampet e refugjatëve në Turqi.

Plani për deportimin e imigrantëve ka nxitur shqetësime mes përkrahësve të të drejtave të njeriut lidhur me fatin e imigrantëve që transferohen në Turqi dhe çoi në rishikimin e tij nga Bashkimi Europian.

XS
SM
MD
LG