Lidhje

Varfëria dhe riciklimi


Njerëzit në mbarë botën përdorin enë plastike me një përdorim për ujë, ushqim dhe nevoja të tjera për shkak të prakticitetit të tyre dhe peshës së lehtë. Por nëse nuk hidhen në vendet e duhura, këto enë plastike mund të ndotin zonën, sistemin ujor dhe të krijojnë dëme për ambjentin. Mbetjet plastike janë një problem real në shumë vende të varfëra. Korrespondentja Zlatica Hoke njofton se si një vend afrikan dhe një në Amerikën e Jugut e kanë kthyer këtë rrezik në avantazhin e tyre.

Sistemi i kullimit të ujit në kryeqytetin e Ugandës, Kampala sjell të ardhura për qindra njerëz që mbledhin prehrat e hedhura pa kujdes.

David Kibande menaxhon rreth 10 punonjës që mbledhin deri në 10 tonë mbetje plastike në javë dhe e shesin atë gati 7 cent për kilogram. Kibande thotë se njerëzit që ai menaxhon do të ishin pa punë pa këtë mundësi. Tani ata sigurojnë jetesën dhe ndihmojnë për pastrimin e qytetit.

"Po të shkosh në vende të tjera ku nuk bëjnë këtë pastrim, sheh se kanalet e kullimit janë të bllokuara.''

Më shumë se gjysma e mbeturinave në kryeqytetin e Ugandës lihet e pambledhur për shkak të shërbimeve të pamjaftueshme komunale. Shumë nga ato përfundojnë në kanalet e ujin e pijshëm, të kullimit dhe rrugët e pazhvilluara. Autoritetet ambjentaliste thonë se rreth 600 tonë plastikë hidhet në Kampala çdo ditë.

Kompanitë private si Instituti për Riciklimin e Plastikës, që drejtohet nga një kompani afrikano-jugore e pijeve freskuese, po ndihmojnë në pakësimin e mbetjeve duke punësuar njerëz të mbledhin mbeturinat plastike për riciklim. Uzina në Kampala riciklon 650 kilogramë plastikë në orë dhe më shumë se 3 milion kilogramë në vit, që do të thotë se shumë më pak mbetje përfundojnë në ambjentin e Ugandës.

"Po funksionon shumë mirë. E gjithë plastika që mbledhim tani do të përfundonte në rrugë ose në lumenj.''

Plastika klasifikohet, pastrohet dhe procesohet për prodhimin e produkteve të tjera plastike, përfshirë pllaka dyshemeje dhe çatije.

Në një tjetër kontinent, një nismë private e quajtur "Organizmo" po u mëson studetëve si të përzjejnë shishet plastike me rërë, argjilë dhe kashtë për të ndërtuar shtëpi të padëmshme për mjedisin në Kolumbi.

"Nëse kuptojmë praktikat tona të konsumit dhe krijimit të mbeturinave dhe këtë njohuri e inkorporojmë në jetën e përditshme, kjo mund të çojë në praktika të veçanta riciklimi, ripëdorimi dhe njohjen e mjedisit."

Studentë nga Kolumbia dhe vende të tjera mësojnë si të përdorin mbetjet dhe materialet natyrore për të ndërtuar shtëpi të padëmshme për mjedisin, që përfshin sistemet për trajtimin e ujit të shiut.

Një arkitekte nga Spanja thotë se është këtu për të mësuar si ta bëjë kujdesin për mjedisin pjesë të profesionit të saj.

"40 për qind e gazit karbonit çlirohet nga ndërtimet në mbarë botën. Pra nëse ne arkitektët duam të ndërtojmë, duhet të marrim në konsideratë dëmin e mundshëm që u shkaktojmë gjeneratave dhe natyrës."

Ambientalistët shpesh theksojnë se mbrojtja e natyrës dhe burimeve nuk ka përse të ketë kosto të lartë. Ajo që nevojitet është iniciativa dhe përkushtimi për të zhvilluar praktika të mira.

XS
SM
MD
LG