Lidhje

Fjalimi i Presidentit Obama: Ide të reja, sfida dhe shpresa për të ardhmen


Presidenti Barack Obama mbajti fjalimin për gjendjen e vendit, i pari para një sesioni të Kongresit që mbizotërohet nga republikanët, pasi ata morën kontrollin e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve. Në prag të fjalimit, anketat tregonin se popullariteti i tij është rritur falë përmirësimit të ekonomisë. Si rrjedhojë, fjalimi i tij u përqendrua gjerësisht tek sukseset në vend dhe në tema të tilla si propozimi për rritjen e taksave të të pasurve dhe firmave të mëdha financiare dhe hapat për të forcuar klasën e mesme. Por fjalimi u mbajt edhe në kushtet e rritjes së masave të sigurisë në Uashington dhe vende të tjera, pas sulmeve terroriste në Francë. Megjithëse fjalimi mbahet për publikun amerikan, situata e nderë në Evropë, zhvillimet ndërkombëtare dhe shqetësimi i ekstremizmit e bënë të pashmangshme diskutimin e politikës së jashtme dhe sigurisë globale.

Fjalimi i Presidentit Obama: Ide të reja, sfida dhe shpresa për të ardhmen
please wait

No media source currently available

0:00 0:08:34 0:00

Ishte hera e shtatë dhe e parafundit që Presidenti jepte Fjalimin për Gjendjen e Vendit.

Dhe vetëm dy minuta pasi kishte filluar fjalimin, presidenti e përmblodhi me një deklaratë optimiste gjendjen e vendit:

“Hija e krizës ka kaluar dhe gjendja e vendit është e fortë”.

Pasi foli për arritjet e vendit, ose më saktë të administratës së tij, përfshirë konsolidimin e ekonomisë dhe ritmin e shpejtë të hapjes së vendeve të reja të punës, si edhe rikthimin e trupave nga Afganistani dhe Iraku, Presidenti Obama iu kthye një pyetje sfidë që do shtjellohej edhe më pas në fjalimin që zgjati vetëm një minutë më pak se një orë.

“A do të pranojmë një ekonomi ku vetëm disa nga ne janë në gjendje shumë të mirë? Apo do të angazhohemi për një ekonomi që sjell të ardhura në rritje dhe shanse për të gjithë ata që përpiqen?”

Për një pjesë të mirë të fjalimit, Presidenti Obama sfidoi shumicën e re republikane duke përmendur tema që reflektojnë suksese të tij, si ulja e papunësisë, reforma e kujdesit shëndetësor dhe hapat për reformën e imigracionit.

“Përfundimi është i qartë. Ekonomia për klasën e mesme funksionon. Rritja e shanseve funksionon. Dhe këto politika do të vazhdojnë të funksionojnë përsa kohë politika nuk i pengon. Nuk mund të ngadalësojmë bizneset apo ta vëmë qeverinë në rrezik me mbylljen e saj ose me përplasje fiskale. Nuk mund të vëmë në rrezik sigurinë e familjeve duke iu hequr kujdesin shëndetësor, ose duke goditur rregullat e reja të Wall Street-it, apo duke rihapur betejat për emigracionin, kur kemi një sistem për të ndrequr”.

Presidenti nuk u druajt të thoshte se nëse masa të tilla që do të sfidonin arritjet e tij, vinin në tryezën e tij, ai do t’i vinte veton.

Ai bëri thirrje për bashkëpunimin e Kongresit dhe miratimin e masave që ai do të çojë tek ligjvënësit. Por propozime si ato për rritje taksash për më të pasurit, nuk ka shumë gjasa të miratohet nga shumica republikane.

Presidenti preku tema të tilla si nevoja për kujdes të përballueshëm për fëmijët, barazinë e pagës për gratë,përmirësimin e shanseve për arsimin dhe shanset e punësimit për veteranët që kthehen nga lufta, një nga pikat ku ai u përshëndet me një nga duartrokitjet më të gjata mes pothuajse 70 ndërprerjeve të tilla, ndonëse shumica e duartrokitjeve erdhën nga demokratët.

Pas rreth 30 minutash temash të politikës së brendshme Presidenti Obama, e filloi pjesën e fjalimit për politikën e jashtme me një qëndrim që dukej si reagim ndaj kritikave se ai shpesh nuk është shumë i vendosur dhe nuk përgjigjet me forcë ndaj sfidave globale.

“Unë besoj tek një lloj më i zgjuar i udhëheqjes amerikane. Ne udhëheqim më mirë kur kombinojmë fuqinë ushtarake me diplomacinë e fortë; kur e mbështesim forcën tonë me formim koalicionesh; kur nuk e lejojmë frikën të na verbojë para mundësive që ky shekull i ri paraqet”.

Por zoti Obama u shpreh fuqishëm në mbështetje të popujve që janë goditur nga terroristët “nga një shkollë në Pakistan në rrugët e Parisit” dhe tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të godasin terroristët dhe të shkatërrojnë rrjetet e tyre.

Udhëheqja amerikane, tha ai po e frenon përparimin e ISIL-it.

“Në vend që të detyroheshim të hynim në një luftë tjetër nga toka në Lindjen e Mesme, ne po udhëheqim një koalicion të gjerë, përfshirë vende arabem për të dobësuar dhe shkatërruar këtë grup terrorist”.

Duke iu kthyer një krize tjetër globale, zoti Obama tha se Shtetet e Bashkuara po e kundërshtojnë agresionin rus, po mbështesin demokracinë e Ukrainës dhe po u japin garanci aleatëve të NATO-s.

Ai tha se Rusia është tani e izoluar dhe ekonomia e saj është e rrënuar.

Presidenti mbrojti ndryshimin e politikës me Kubën dhe tha se Kongresi duhet të fillojë punën për heqjen e embargos dhe bëri thirrje për të vazhduar përpjekjet për luftën ndaj Ebolës.

Presidenti foli edhe për vlerat amerikane dhe respektin amerikan për dinjitetin njerëzor.

“Për këtë arsye ne flasim kundër antisemitizmit të neveritshëm që është rishfaqur në shumë pjesë të botës. Për këtë arsye ne vazhdojmë t’i dënojmë paragjykimet ofenduese për myslimanët, pjesa më e madhe e të cilëve kanë të njëjtin përkushtim si ne ndaj paqes. Prandaj ne e mbrojmë të drejtën e fjalës dhe mbrojmë të drejtat e të burgosurve politikë, dënojmë persekutimin e grave, apo pakicave fetare, ose atyre që janë homoseksualë”.

Në një farë mënyre fjalimi ishte një gërshetim i një paraqitjeje politike me një rikthim tek toni i fjalimeve të tij para presidencës, ku shumëkush u tërhoq nga oratoria e tij. Në pjesën e fundit të fjalimit, Presidenti iu rikthye një stili të tillë, duke folur direkt me publikun dhe Kongresin. Kjo pjesë filloi me një apel që dukej se u drejtohej republikanëve:

“Një politikë më e mirë është ajo kur ne debatojmë pa sharë njëri-tjetrin, kur flasim për çështjet, vlerat, parimet dhe faktet e jo kur përpiqemi të kapim tjetrin apo kur merremi me gafat e vogla e me problemet e rreme që nuk kanë të bëjnë fare me jetën e përditshme të njerëzve” .

Vazhdoi me një vështrim introspektiv jo vetëm të ngjarjeve si ato të Fergusonit dhe të Nju Jorkut por duke iu përgjigjur zërave cinikë që e kanë kritikuar se nuk e solli në jetë vizionin e para 10 vjetëve kur tha në Boston se nuk ka dy Amerika por vetëm një. Presidenti tha se do që brezat e ardhshëm ta dinë se amerikanët i shohin mendimet e ndryshme si dhuratë.

“Dua që ata të rriten në një vend që i tregon botës atë që ne vazhdojmë ta dimë që është e vërtetë: që ne vazhdojmë të jemi më shumë se një grup shtetesh të demokrate dhe republikane; se jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Dhe në fund presidenti foli ashtu si në fillim për një familje amerikane që ishte rimëkëmbur pas shumë vitesh vështirësisht. Dhe ndërsa në fillim të fjalimit tha se kemi 15 vjet që kemi hyrë në një shekull që filloi me terrorizmin në brigjet amerikane, në fund Presidenti tha se pas 15 vjetësh, edhe Amerika si familjet e saj, ka vendosur themelet për një të ardhme më të ndritur.

Përgjigjia e republikanëve, erdhi nga senatorja e re republikane Joni Earnst e cila tha se Kongresi i ri, i mbizotëruar nga republikanët do ta kthejë vëmendjen tej shqetësimet e amerikanëve, me nisma për hapjen e vendeve të punës dhe shfuqizimin e ligjit për kujdesin shëndetësor.

Ajo përsëriti synimin e republikanëve për të shkurtuar shpenzimet federale. Senatorja Ernst tha gjithashtu se kongresi do të diskutojë mënyrat për të përballuar terrorizmin, përfshirë al-kaidën dhe ISIL.

“Forcat e dhunës dhe shtypjes nuk duan t’ia dinë për të pafajshmit. Ma duhet një plan gjithëpërfshirës për t’i mposhtur”.

Megjithëse Presidenti është në dy vitet e fundit të mandatit, duket se betejat politike mes dy partive do të vazhdojnë duke u nisur nga qëndrimet e fundit.

XS
SM
MD
LG