Lidhje

Presidenti Obama fillon turneun aziatik


Presidenti Barack Obama ka shkuar në Japoni, në fillim të një turneu në katër vende aziatike, ku ai do të përpiqet t’i bindë aleatët se Uashingtoni është i përkushtuar për ribalancimin e politikave në Paqësor.

Shqetësimet e sigurisë lidhur me pretendimet territoriale të Kinës dhe programin bërthamor të Koresë së Veriut do të jenë në fokus të udhëtimit të zotit Obama, që përfshin ndalesa në Japoni, Korenë e Jugut, Malajzi dhe Filipine.

Turneu 8-ditor filloi në Tokio me një takim me kryeministrin Shinzo Abe. Japonia është përfshirë në një mosmarrëveshje në rritje me Pekinin, mbi një grup ishujsh të pabanuar në Detin e Kinës Lindore. Para vizitës, zoti Obama i tha gazetës japoneze Yomiuri,se Shtetet e Bashkuara janë kundër çdo përpjekjeje të njëanshme për minimin e administrimit të këtyre ishujve nga Japonia. Ai po ashtu theksoi se çështja e ishujve përfshihet në një marrëveshje, e cila kërkon që Shtetet e Bashkuara ta mbrojnë Japoninë, në se ajo sulmohet.

Zoti Obama po ashtu do të përpiqet për përparim në marrëveshjen me Japoninë për tregtinë e lirë, të njohur si Partneriteti i Transpaqësorit, i vonuar prej kohësh.

Por shumë thonë se hezitimi i Japonisë për heqjen e tarifave ndaj prodhimeve bujqësore i zbehin shanset për marrëveshje në këtë pikë.
XS
SM
MD
LG